Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, të premten publikoi këngën e saj më të re “Sabotage”.
Kjo këngë e zhanrit baladë është paralajmëruese e albumit të saj të ri, “Better Mistakes”, i cili i plotë do të publikohet më 7 maj.
“Sabotage”, një baladë e lehtë dhe e ndjeshme në tematikën e saj flet për pa lumturinë dhe gabimet e njëpasnjëshme të individit, që çojnë deri në shkatërrimin e gjithçkaje.
E në këtë formë është konceptuar edhe klipi, i cili e shfaq fillimisht këngëtaren në një mjedis të qetë e botanik, por që më pas shkatërrohet dhe shpërbëhet gjithçka.
Njëlloj ndodh me piktura, bibliotekën dhe të gjitha gjësendet në dhomën ku artistja ndodhet, teksa interpreton mes lotësh këngën e saj.
Një element shumë i veçantë që mori vëmendjen e shikuesve në klip ishte një nga skenat, ku shfaqet një fotografi në kornizë, e cila zhduket gjithashtu.
Ndërkohë fotografia e përzgjedhur për të qenë aty është një fotografi e vjetër e këngëtares nga fëmijëria e saj, në një përqafim me të vëllain e saj, Florent Rexha.