Devin Booker nuk e mori asnjë votë për MVP (Lojtarin më të Vyeshëm) në sezonin e rregullt të NBA. As nuk ishte pjesë e ekipit të parë të All-NBA. As e të dytit. Madje, nuk e futën as në të tretin. Në fakt, ai ishte pjesë e All-Star lojës këtë vit, por vetëm si zëvendësues i të lënduarit nga Lakers, Anthony Davis.
Por, këto “ëmbëlsira” që kënaqin ego personale të lojtarëve, nuk kanë asnjë kuptim tash. Sezoni i rregullt përfundoi, mori kush mori mirënjohje për atë kohë, dhe tashti, kur nisi faza finale, është pothuajse një garë krejt tjetër.
Më të ranguarit për çimin MVP tashmë janë dërguar në pushime të “merituara”, pasi ekipet e tyre u eleminuan nga play off-i. Serbi Nikola Jokiq e pa veten jashtë garës për titull të kampionit në NBA qe dy javë. Joel Embid i Philadeplhia 76ers po ashtu u përshëndet, mëngjesin e së hënës, pasi ekipi i tij humbi befasisht nga Atlanta Hawks në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes, transmeton KlanKosova.tv.
Tashti, është koha për tjerë lojtarë që të dëshmohen e të bëjnë emër. Dhe në radhë të parë për Booker. Lojtari i Phoenix Suns shkëlqeu të dielën mbrëma, në ndeshjen e parë të finales së Konferencës Perëndimore. Ai regjistroi dyshifrorin e parë të trefishtë në karrierë. Dhe kontributi i tij ishte masiv, 40 pikë, 13 reboundsa e 11 asistime.
Booker ndihmoi ekipin e tij, Phoenix Suns, nga shteti amerikan i Arizonas ta shënojë fitoren e parë në Perëndim, ndaj LA Clippers, 120 me 114.
Ai mori përsipër udhëheqjen e skuadrës në mungesë të yllit kryesor të ekipit, Chris Paul, që mungoi për shkak të lëndimit. Dhe ia foli fare mirë. Për të mos thënë, krejt shkëlqyeshëm.
Me kësi loje, Booker garanton një verë edhe më të nxehtë, edhe basketbollistike, në Phoenix, këtë vit. Ky ekip, falë Paul dhe Booker, u fut për herë të parë në play off, në dekadën e fundit. Gjasat për ta fituar krejt titullin, nuk janë hiq të vogla. Krejt çfarë duhet është që Booker të luaj si të dielën mbrëma. Dhe Chris Paul të kthehet në formën e tij më të mirë, me magjitë e tij me topin e basketbollit.