Dhënia me koncesion e Aeroportit të Rinasit një histori turpi

Prishtinë | 12 Pri 2019 | 07:30 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sander Lleshaj, e ka cilësuar dhënien me koncesion të Aeroportit të Rinasit nga Qeveria e Fatos Nanos, 15 vjet më parë, si një histori turpi.

Të enjten, nga foltorja e Kuvendit, ministri Lleshaj ka deklaruar se pas grabitjes së 9 prillit në Aeroportin e Rinasit janë marrë masa të plota, të forta, si rrallëherë, për të zhbërë këtë histori, e cila, sipas tij, ka nisur gati dy dekada më parë me transferimin e një aseti të rëndësishëm të infrastrukturës së vendit dhe të sigurisë kombëtare në duar pothuajse të panjohura, shkruan Koha Ditore.

“Është një ngjarje e rëndë, një precedent i rëndë i ndodhur kur ne kemi transferuar sovranitet në duart të një koncesionari privat, të cilin në qoftë se do t’i hynit historisë së tij mund të shihni të gjitha duart që kanë kontribuar në të dhe besoj që do të gjeni edhe shumë duar dhe emra të njohur që kanë kontribuar në këtë situate”, ka deklaruar ministri Sander Lleshaj.

Ai ka anatemuar paraardhësin e Edi Ramës në Partinë Socialiste, Fatos Nanon, i cili në vitin 2004 ia dha në koncesion për 20 vjet Aeroportin e Rinasit një kompanie gjermane, e cila para dy vjetësh ia shiti aksionet një kompanie kineze e cila e menaxhon aktualisht atë.

Kontratë të gabuar, që në gjenezën e saj, e ka quajtur edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo kontratë, sipas Ballukut, nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë. Balluku ka thënë se tashmë është hapur “Kutia e Pandorës” dhe gjithçka do të sqarohet.

Të ngjashme