Mund të jetë një “surprizë” e pakëndshme për ju, në mesin e pushimeve, të ndjeni krejt papritur dhimbje veshi. Vera është stina kryesore kur shfaqen problemet e veshëve. Të gjitha ata që notojnë, udhëtojnë dhe eksplorojnë hapësirat e mëdha mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore për çështjet e veshit.
Mjekja ORL, Anjeza Kuçi, në një intervistë për gazetën “Shëndet plus”, flet lidhur me problematikat që ka ky organ gjatë periudhës së nxehtë. “Jemi në sezonin e verës dhe patologjitë më të shpeshta për të cilët pacientët tanë ankohen janë: infeksioni i kanalit të jashtëm të dëgjimit, që si rezultat i komplikacioneve mund të shkojë deri në infeksion të daulles së veshit të mesëm”, thotë doktoreshë Anjeza.
“Një patologji tjetër që na shqetëson është sindromi vertiginoz (Vertigo ose sindromi vertiginoz është ndjesia e rrotullimit, në të cilën individi ndjen sikur çdo gjë rreth tij është duke lëvizur ose rrotulluar). Në këtë periudhë si rezultat i ndryshimit të temperaturave bëjnë që sindromi vertiginoz të jetë një nga patologjitë që na shoqëron më shumë gjatë stinës së verës. Përveç infeksionit të kanalit të jashtëm të dëgjimit”. Shkaqet që çojnë në probleme me dëgjimin: Veshin e ndajmë në 3 pjesë që janë: veshi i jashtëm, ku futet llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit; veshi i mesëm, ku futet membrana timpanike apo daullja e veshit dhe kaviteti timpanik; dhe veshi i brendshëm, ku janë vendosur dy organe kryesore, si ai i dëgjimit dhe ekuilibrit, nga ku nisin fillesat e nervit të tetë të kokës, atij stato-akustik apo të dëgjimit dhe ekuilibrit. Problemet e dëgjimit, që nisin në veshin e jashtëm kanë të bëjnë me bllokimin mekanik nga prezenca e dyllit apo edhe infeksione të kanalit të jashtëm gjatë periudhës së verës si otitet eksterne apo edhe te pacientët me patologji të lëkurës së kanalit si dermatitis atopik apo ekzema.
Patologji të tjera mund të jenë edhe zgjerimet kockore të kanalit të jashtëm apo eksostozat. Në sëmundjet e veshit të mesëm, që shoqërohen me rënie të dëgjimit janë otitet mediakronike apo infeksionet kronike të daulles së veshit, me daullen e çarë, otoskleroza apo ngurtësimi i kockave të dëgjimit në rrugën e transmetimit të tingullit, kolesteatoma apo tumori beninj i veshit të mesëm me aftësi shtrirëse deri në veshin e brendshëm etj. Në sëmundjet e veshit të brendshëm, që ne na shqetësojnë dhe shoqërohen me dëmtim të konsiderueshëm të nervit të dëgjimit, janë sëmundja e Menierit apo sëmundja tipike e veshit të brendshëm apo VESHI i MESIT, siç njihet si term anatomikisht i gabuar nga pacientët dhe ndonjëherë thuhet edhe nga mjekët e përgjithshëm.
Dëmtimet kronike të nervit të dëgjimit, që vijnë nga krizat e herëpashershme, bëhen të qëndrueshme dhe ndonjëherë të parikthyeshme dhe shoqërohen me rënie të konsiderueshme dhe zhurmë në vesh.
“Në rastin që ne kemi krizën e parë atëherë rekomandohet që pacienti të shkojë në urgjencë. Maten parametrat vital, pra matet tensioni, bëhen analizat laboratorike, nëse mund të jetë ndonjë çrregullim nga problemet diabetike, problemet e anemive etj. Nëse pas konsultës arrihet në përfundimin që të gjitha parametrat vital rezultojnë normal, atëherë pacienti kalon në shërbimin e ORL-së, për të parë problemet e veshit të brendshëm (kjo nëse është kriza e parë). Gjithmonë e sqarojmë që në sëmundjen e veshit të brendshëm, nuk e dimë asnjëherë kur mund të shfaqet kriza tjetër. Mundet që me ndryshimin e temperaturave ose me çrregullimin e patologjive të tjera, kriza e veshit të rishfaqet përsëri”, shprehet doktoresha.