Dhimbja nuk paska fund, rritet akoma bilanci i viktimave

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

(I përditësuar)

Bilanci i viktimave është rënduar edhe më shumë. Deri më tani raportohet se 26 persona kanë ndërruar jetë.

Vetëm pak minuta më parë tre trupa të tjerë të pajetë janë lokalizuar në gërmadhat e pallateve të shembur. Po ashtu ka edhe persona në gjendje të rëndë në spital.

Është thelluar bilanci i tragjedisë së tërmetit në Shqipëri, numri i viktimave ka shkuar në 24.

Sipas lapsi.al, një person ende i paidentifikuar është nxjerrë nga rrënojat.

“U raportua fillimisht se ai ishte gjallë, por fatkeqësisht nuk ka mundur dot të mbijetojë. Bëhet fjalë për një djalë 23-vjeçar në Thumanë”.

Ndërkohë lëkundjet e tërmetit vijojnë ende, ku vetëm pak më parë u regjistrua një tjetër goditje 3.7 ballë.

Ka shkuar në 22 numri i viktimave nga tërmetet e sotme në Shqipëri.

Raportohet deri tani për 22 të vdekur dhe 600 të plagosur. Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.

Thellohet bilanci i tragjedisë së tërmetit, shkon në 21 numri i viktimave.

Ndërkohë më parë ishin nënë e bir në Thumanë, që fatkeqësisht i kishte zënë poshtë tavolina e bukës që çuan në 20 numrin e viktimave, shkruan Top Channel, transmeton Klan Kosova.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu tha se viktimat janë Sardi Cukaj dhe Mira Cukaj nënë e bir. Ndërsa po kërkohen prindërit e 25-vjeçarit që shpëtoi më herët.

Tërmeti i rëndë në Shqipëri: Rritet në 20 numri i të vdekurve

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë konfirmon se ka shkuar në 20 numri i viktimave, si pasoje e tërmetit tragjik që ka goditur Shqipërinë ditën e sotme.

Ndërkohë që nga rrënojat janë nxjerrë të gjallë 42 persona.

Ekipet e emergjencave vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit në banesat dhe pallatet e dëmtuara në Durrës e Thumanë.

Numri i personave të lënduar shkon në mbi 600 vetë.

Konfirmohet vdekja e 29-vjeçarit nga Gjilani, Isa Abazi

Ka shkuar në 19 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotëm.

Viktima e 19-të është 29-vjeçari nga Kosova, Isa Abazi. Trupi i tij është nga rrënojat e hotelit Tropikal pranë Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani ka thënë se trupi i pajetë i Isa Abazait është nxjerrë, ndërkaq janë duke u bërë përpjekje që edhe trupi i Shemsedinit të nxirret nga gërmadhat e hotelit.

“Të dytë e kanë humbur jetën. Isën e kanë nxjerrë, e pritet edhe Shemsedini që të nxjerrët nga rrënojat jam në vendin e ngjarjes”, deklaroi ambasadori Hasani për lajmi.net.

Hasani po ashtu shtoi se janë duke qëndruar në hotelin e rrënuar deri në nxjerrjen e trupit të pajetë të Abazit.

Ndërkohë që janë të paktën edhe 10-15 persona që janë në rrënojat e hotelit. 

Zyrtare: Tërmeti në Shqipëri, shkon në 18 numri i viktimave

Vazhdon të rritet numri i viktimave si pasojë e tërmetit në Shqipëri. Informacionet nga atje bëjnë me dije se tashmë është shënuar edhe viktima e 18.

Mësohet se një fëmijë  është nxjerrë i vdekur nga pallati i rrëzuar tek lagja 18 në Durrës.

Tërmeti, shkon në 17 numri i viktimave

Dy tërmete të njëpasnjëshme sërish e kanë goditur shtetin e Shqipërisë.

Një tërmet me magnitudë prej 3.0 ka goditur para pak minutave qytetin e Tiranës, ndërsa tërmeti të tjetër ishte me magnitudë 3.0

Deri më tani mediat e Shqipërisë raportojnë se numri i viktimave nga tërmetet e mëparshme ka shkuar në 17, ndërsa raportohet për qindra të tjerë të lënduar.

Zyrtare: Shkon në 16 numri i të vdekurve në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se numri i të vdekurve ka shkuar në 16.

Rreth orës 15:30, është konfirmuar për nxjerrjen e një trupit të pajetë në Durrës.

Me këtë, shkon në 16 bilanci i viktimave të tërmetit.

Të ngjashme