Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit do t’i shqyrtojë dhjetë oferta që ia kanë mësyrë ta ndërtojnë objektin e Muzeut të Historisë së Natyrës, projekt ky i iniciuar qysh më 2015.
Shqyrtimi i ofertave është hap konkret i radhës për jetësimin e kësaj nisme, por MKRS ende nuk është përcaktuar se cilës prej kompanive ofertuese do t’ia besojë ndërtimin e objektit të parë të këtij lloji në vend, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tash MKRS-së i mbetet ta themelojë një komision, i cili do t’i shqyrtojë ofertat. MKRS ende nuk ka ndonjë afat se kur do të themelojë komisionin. Dhe as se kur do të vihet gur themeli i këtij objekti. Vënia e gur themelit të objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës fillimisht qe paralajmëruar për në gusht të vitit që shkoi.
Sipas vlerës së parashikuar për ndërtimin e këtij objekti, bazuar në konkursin publik që ka qenë i hapur deri më 11 të këtij muaji, duhen 4 milionë e 64 mijë euro. Por Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporti për sivjet i ka paraparë vetëm 100 mijë euro.