Infektologu Valbon Krasniqi, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online se dhjetë pacientë të shëruar me Coronavirus do të lirohen nga klinika Infketive.
Ai më tej ka sqaruar se këto dy ditë gjendja në Klinikën Infektive po shkon duke u përmirësuar, ngase numri i shëruarve është më i madh se i atyre të infektuarve.
Ai ka bërë thirrje që të vazhdohet të respektohen rekomandimet e institucioneve deri në kalimin e pandemisë.
“Për momentin në klinikë tani ne kemi 36 pacientë të prekur me Covid-19, e që gjendja shëndetësore e shumicës prej tyre është e mirë, ndërkohë që kemi 7 pacientë me oksigjenoterapi që krahas terapisë së rregullt nevojitet që të asistohet me oksigjen herë pas here ndërkohë që kemi edhe dy pacientë të tjerë në kujdesin intensiv në klinikën tonë janë në gjendje shumë të rëndë dhe që kanë nevojë për një përkujdesje më të përafërt edhe nga ana e infektologut por edhe anesteziologut”.
“Në këto dy ditë kemi pasur lajme më të mira, në fakt kemi dëgjuar që dje dhe pardje kishim raste shumë më shumë të shëruara se sa të konfirmuara të reja, dhe vet numri i pacientëve që kemi 36 flet që kemi një numër të konsiderueshëm që i kemi liruar dje kemi pasur 11 sot do t’i lirojmë 10 pacientë pra brenda dy ditëve po lirojmë 21 pacientë shpresojmë që do të vazhdohet me këtë trend që veç ka vazhdu këto dy ditë”, tha ai, raporton EO.