Mbrëmë janë konfirmuar 10 raste të reja me COVID-19 në Komunën e Vitisë. Sot nga kjo komunë nuk është përcjellë asnjë mostër për testim, por tashmë janë izoluar rreth 70 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me të infektuarit. Detaje rreth gjendjes atje ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Basri Aliu.
Në një prononcim për Gazetën Express, Aliu ka thënë se nga të infektuarit mbrëmë ka edhe të moshës 4-vjeçare.
Ai ka treguar se menjëherë pas konfirmimit të rasteve janë dërguar në izolim rreth 70 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me rastet pozitive. Për testimin e tyre do të vendos Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Aliu thotë se të gjithë të izoluarit janë nën mbikqyrje, derisa shton se gjendja e të infektuarve nga kjo komunë është stabile.
“Mbrëmë janë konfirmuar 10 raste të reja në Viti. Gjendja e të infektuarve është stabile. Të infektuarit janë prej moshës 4-vjeçare e deri të moshat më të vjetra. Sot nuk është dërguar asnjë mostër për testim nga Vitia, por që në listën e kontakteve i kemi rreth 60-70 persona. Ata janë izoluar menjëherë, meqenëse dyshohet se kanë pasur kontakt me të infektuarit”, ka thënë ai për Express.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar 51 raste të reja me COVID-19.
“Sot më 19 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 295 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej pesëdhjetë e një (51) raste”, ka njoftuar Instituti.
Me rastet e konfirmuara mbrëmë, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 561.
Në mesin e tyre, 102 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.