Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se dhjetë shtetas kosovarë që jetojnë në diasporë kanë vdekur si pasojë e Coronavirusit, prej 42 sa janë të prekur nga ky virus. Lajmi për Ekonomia Online e ka konfirmuar Zyra për Medie e kësaj ministrie.
MPJD në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, kanë thënë se Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, përveç marrëveshjeve të mirëkuptimit me qeveritë e vendeve nikoqire për vazhdim të lejes së qëndrimit për të gjithë shtetasit e Kosovës, pas regjistrimit të rasteve emergjente, kanë bërë përpjekje të mbledhin edhe të dhëna për shtetasit tanë që janë prekur nga Coronavirusi.
“Sipas të dhënave të mbledhura nga misionet tona diplomatike, deri më tani nga virusi COVID-19 janë infektuar 42 persona që janë shtetas kosovarë ose që kanë edhe shtetësi të Republikës së Kosovës”.
“Nga këta të infektuar, 10 veta kanë ndërruar jetë, dhe sipas familjarëve shumica e viktimave kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera kronike, kryesisht nga diabeti apo problemet me frymëmarrje”, është thënë në përgjigjen e MPJD-së.
Ata kanë bërë me dije se këto të dhëna janë mbledhur nga kërkesat për dokumentacione që kanë bërë familjarët e viktimave në Ambasadat apo Konsullatat e Kosovës.
“Këto të dhëna janë jozyrtare, ngase institucionet shëndetësore publike ruajnë privatësinë e qytetarëve dhe nuk japin të dhëna të tilla personale, përkatësinë etnike ose origjinën e pacientëve”.
“Këto të dhëna janë mbledhur nga kërkesat për dokumentacione që kanë bërë familjarët e viktimave në Ambasadat apo Konsullatat tona, si dhe nga kontaktet që diplomatët tanë kanë me bashkatdhetarë dhe përfaqësues shoqatash në Diasporë”, është thënë në përgjigjen e MPJD-së për Ekonomia Online.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të COVID-19 dhe u ka bërë ftesë të gjithë bashkatdhetarët të vazhdojnë me kujdes dhe durim, deri në kalimin e kësaj gjendjeje të vështirë për mbarë njerëzimin.