Një dekadë mbresëlënëse sportive ka mbaruar, ndërsa meshkuj e femra kanë vendosur standarde për të tjerët, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Më poshtë janë Top 10 – një për secilin vit nga 2010 deri më 2019. Janë kampionët më të ndritshëm të sporteve që kanë bazë globale të tifozërisë.
1. Usain Bolt – atletikë
Është e vështirë të nënvlerësosh ndikimin që Usain Bolt ka pasur për sportin e tij dhe për pushtimin e imagjinatës së komunitetit sportiv botëror, në një mënyrë që së fundi është parë nga Muhammad Ali në kulmin e karrierës, shkruan sot Koha Ditore.
Ai u fut në dekadë si njeriu më i shpejtë në botë, pasi kishte fituar dopietën e sprintit në 100 dhe 200 metra në Lojërat Olimpike “Pekini 2008”, para se të vendoste rekordet e botës në 100 metra (9.58 sekonda) dhe 200 metra (19.19 sekonda) në Botërorin e vitit 2009, rekorde që ende qëndrojnë.
Ishte e vështirë për të bërë më mirë, mirëpo njeriu më i shpejtë në planet vazhdoi dominimin. Në Lojërat Olimpike “Londra 2012” dhe “Rio 2016” ai mbrojti të artat në 100 dhe 200 metra sprint dhe po ashtu fitoi të artat me stafetën e Xhamajkës 4×100 metra.
Ai u pensionua nga atletika pas Botërorit 2017, para se të tentonte të niste një karrierë në futbollin profesionist, por dështoi në këtë aspekt.
2. LeBron James – basketboll
LeBron James është një nga basketbollistët më të mëdhenj në histori të NBA-së, ndërsa përmendet me të njëjtën frymë si Michael Jordani dhe ai ende po vazhdon fuqishëm, ndonëse është 35-vjeçar tash. Është pjesë e Los Angeles Lakersit.
Vendimi i tij në vitin 2010 për t’u larguar nga Cleveland Cavaliers dhe për t’iu bashkuar Miami Heatit, dërgoi valë shoku në lojën e basketbollit, duke personifikuar një epokë të re të fuqisë së lojtarit, por solli fryt me tituj rresht të NBA-së në vitet 2012 dhe 2013, pas një humbjeje dëshpëruese nga Dallas Mavericksi një vit më herët në finale.
Ai u rikthye si një hero te Cleveland Cavaliersi në vitin 2014, duke transformuar fatin e skuadrës dhe duke e udhëhequr qytetin e Clevelandit drejt titullit të parë në një sport profesionist në 52 vjet, me triumf në finalen e NBA-së të vitit 2015.