Dhjetëra mijëra gjermanë dalin në Berlin në mbështetje të Ukrainës

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 100 mijë persona kanë dalë në rrugët e Berlinit për të marrë pjesë në një protestë kundër luftës në Ukrainë.

Sipas organizatorëve, vargu i protestuesve kishte mbushur rrugën nga Porta e Brandenburg dhe Kolona e Fitores deri në sheshin Aleksandër, 3 km më larg

Një ditë më parë, Gjermania ofroi ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe u zotua se do të shtojë buxhetin për mbrojtjen.

Qeveria gjermane vendosi të shtunën furnizimin e Ukrainës me armë të rënda. Gjermania do të dërgojë 1000 armë anti-tank dhe 500 raketa të tipit “Stinger”. Furnizimet e Bundeswehrit do të dërgohen sa më shpejt të jetë e mundur në Ukrainë. Po ashtu dy vendeve të NATO-s, Holandës dhe Estonisë iu lejua nga Gjermania të furnizojnë Ukrainën me armë nga prodhime gjermane ose me pjesë të mbetura armatimi të RDGJ-së.

Deri më tani qeveria gjermane e kishte refuzuar dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë me arsyetimin, se bëhet fjalë për një rajon krize. “Agresioni rus kundër Ukrainës shenjon një pikë kthese. Ai kërcënon të gjithë rendin tonë të pasluftës”, deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz. “Në këtë situatë është detyrimi ynë, të mbështesim Ukrainën sa të mundemi për mbrojtje kundër ushtrisë së invazionit të Vladimir Putinit. Gjermania qëndron ngushtë në krah të Ukrainës”.

Të ngjashme