Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA miratoi ligjin për buxhetin, që do të financojë qeverinë deri në shtator.
Ligji për shpenzime prej 1.16 trilion dollarësh kaloi me 309 vota për dhe 118 kundër.
Ligji tani shkon në Senat, ku po ashtu pritet të miratohet, dhe më pastaj nënshkruhet nga presidenti Trump.
Ligji i autorizon shpenzimet federale deri në fund të vitit fiskal, që është 30 shtatori.
Por, ai duhet të nënshkruhet nga presidenti të premten, për të shmangur mbylljen e qeverisë.
Mbyllja e fundit ka ndodhur në vitin 2013 dhe ka zgjatur 17 ditë.
Buxheti i ri nuk përfshin fonde për murin e propozuar të presidentit Trump në kufi me Meksikën.