Dhoma e Tregtisë: Shkelje ligjore dhe dëme të mëdha nga Ligji për Pronën Publike

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) kanë njoftuar që sipas tyre gjendjen e rënduar në të cilën janë futur shumë biznese, si pasojë e bllokadës së krijuar nga Ligji për Pronën Publike. Këto komente u bënë gjatë një punëtorie njëditore për mbështetjen e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në zbatimin e këtij ligji.

Drejtori i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se ndikimi i kësaj bllokade ka prekur rëndë ekonominë dhe ka dëmtuar edhe investitorët e huaj.

“Pos bizneseve vendëse, edhe investitorët e jashtëm janë prekur nga kjo bllokadë, duke rrezikuar vendin të përfundojë në procese arbitrazhi e gjithashtu edhe në krijimin e një pasqyre tejet negative për investimet e jashtme,” u shpreh Ahmeti.

Në punëtori morën pjesë edhe anëtari i Bordit të Dhomës, Idriz Zejnullahu, si dhe konsulenti i DHTIK-së, prof. Mazllum Baraliu, të cilët paraqitën një listë të gjerë të shkeljeve ligjore dhe dëmeve ekonomike që, sipas tyre, kanë prekur qindra biznese në vend.

Zyrtarët e Dhomës theksuan se situata institucionale në vend ka ndikuar që problemet të thellohen edhe më shumë.

“Kriza e gjatë institucionale vetëm sa ka thelluar telashet e bizneseve, duke ulur kapacitetet e punës, duke rrezikuar numër të madh të punëtorëve dhe duke kontribuar që të rritet me shpejtësi importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut,” është thënë në komunikatë.

Sipas DHTIK-së, një tjetër pasojë serioze është edhe pamundësia e shumë kompanive për të realizuar investime dhe bashkëinvestime me partnerë të huaj, sidomos në projektet për kapacitete të reja energjetike, të cilat janë jetike për nevojat aktuale të Kosovës.

Të ngjashme