Dhuna seksuale në rritje, viktima kryesisht të miturat

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Në gjashtë vjetët e fundit, në Kosovë kanë ndodhur 225 raste të dhunimeve seksuale, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Vitin e kaluar është raportuar numri më i madh, përkatësisht 58 raste, kurse në vitin 2016 dhe 2017 kanë qenë nga 28 raste.

Këto raste në Policinë e Kosovës janë të raportuar si vepra penale në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të kapitullit “Veprat penale kundër integritetit seksual”.

Në bazë të këtij kapitulli, thuhet se personi, me fjalë ose sjellje shpreh mungesë të pajtimit për të kryer aktin seksual ose për të vazhduar atë apo kur pajtimi i viktimës është marrë me mashtrim, frikësim ose me kërcënim.

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës kryhen deri në 120 ekzaminime të rasteve të dyshuara për dhunime seksuale brenda një viti, thotë Arsim Gërxhaliu, drejtor i këtij instituti.

“Mosha e tyre zakonisht është rinore, ndërsa ajo minore e tejkalon 50 përqindëshin brenda vitit, për shkak të abuzimit të fëmijëve apo mashtrimit të tyre”, thotë Gërxhaliu.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, dyshon se numri mund të jetë më i madh, pasi jo të gjitha viktimat e dhunës seksuale raportojnë rastet tek autoritetet kompetente.

Megjithatë, ajo thotë se numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat nga mosha 13 deri në 16-vjeçare.

“Mendoj se ky është një nga problemet kryesore, sfida e raportimit, ajo stigma që lidhet me të qenurit viktimë e dhunës seksual, presioni social që mund t’i bëhet një vajze të mitur e cila ka mundur të jetë e dhunuar seksualisht. Të gjitha këto mund të ndikojnë që një grua, veçanërisht kur kemi të bëjmë me të miturat, që ato të heshtin dhe mos të raportojnë rastin”, thekson Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Pikërisht për shkak të stigmatizimit të viktimave nga shoqëria, Gërxhaliu thekson se edhe rastet për ekzaminim në Institut nuk vijnë me kohë.

“Për këtë çështje duhet një edukim, duke filluar nga shkollor e deri tek institucionet, që rastet e dyshuara për dhunime të dërgohen menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, që të mund të merren provat biologjike. Pra, thjesht nuk duhet të vonohen sepse ne kemi kohën e shkurtër, brenda 24 orëve të para duhet të nxirren provat biologjike”, thotë Gërxhaliu.

Adelina Berisha thotë se dhuna seksuale në Kosovë vazhdon të mbetet temë tabu dhe në raste të caktuara viktima riviktimizohet. Për këtë çështje ajo konsideron se nevojiten trajnime shtesë edhe për zyrtarët në institucione që merren me këtë çështje, për të kuptuar ndjeshmërinë e kësaj forme të dhunës.

“Mirëpo, fatkeqësisht këto normat apo vlerat, mendësia me të cilën janë rritur zyrtarët në institucione, shpesh mund të pengojnë këtë punë. Ne kemi pasur raste të incesteve, kur punëtorët socialë kanë rekomanduar nënën që mos të raportojë burrin, babanë e vajzës që ka ushtruar dhunë seksuale ndaj vajzës sepse i kanë thënë ‘nesër askush nuk ta marton vajzën nëse e kupton ngjarjen’”, thotë Berisha.

Me qëllim të ngritjes së vetëdijes për situatat e mundshme që i ekspozojnë kategoritë e ndjeshme në rrezikun e të qenurit viktimë e dhunës seksuale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, thotë Gërxhaliu, vitin e kaluar ka filluar një fushatë, “Ma thuaj me kohë”. Kjo fushatë përveç vetëdijesimit për parandalim, thotë ai, ndër të tjera ka të bëjë edhe me provat biologjike sepse nëse nuk ka prova biologjike, është vështirë të dëshmohet edhe dhunuesi.


“Kjo fushatë nuk duhet të ndalet, duhet të vazhdohet edhe me fushata të llojit të tillë. Edukimi seksual duhet të fillojë nga mosha rinore. Njerëzit duhet ta dinë që mund t’i ekspozohen kësaj lloj dhune. Por, gjithashtu është e nevojshme që të gjitha strukturat tjera institucionale ta dinë rolin e shpejtësisë së sjelljes së rastit për ekzaminim”, tha Gërxhaliu

Në vitin 2019, për veprën penale “dhunime dhe sulme seksuale” janë zgjidhur gjithsej 58 lëndë, nga to 12 dënime me burg dhe tri me gjobë, të tjerat me aktgjykim lirues dhe aktgjykim refuzues, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Për 2020 ende nuk ka të dhëna.

Në Kodin Penal të Kosovës, thuhet se “kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit tjetër, dënohet me burgim prej dy deri në dhjet vjet”.

Ndërsa deri në 15 vjet burg, dënohen personat nëse akti është shoqëruar ose përcjellë nga tortura apo trajtimi çnjerëzor, me armë apo mjete të rrezikshëm; dhe kur kryesi i veprës e di që personi është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës, aftësive të kufizuara mendore apo fizike, çrregullimit ose shtatzënisë.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ndërkaq shpreson se institucionet e Kosovës do ta marrin më seriozisht këtë çështje, sidomos pasi shtatorin e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Konventën e Stambollit, duke u bërë atë pjesë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës në familje, si dhe për mbrojtjen e viktimave.

Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.

Sipas konventës, është detyrim i shtetit që ta adresojë plotësisht dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme