Reagimet për rastin e shëmtuar të dhunimit të një të miture në Prishtinë, janë të natyrshme, të ligjshme, sado që të jenë edhe nervoze, histerike.
Por ato mbeten në nivelin e një shfryrje të dufit e asgjë më shumë. Në fakt, mbase ky rast do të duhej të shfrytëzohej që të hapet një debat serioz në shoqërinë tonë lidhur me qëndrimin ndaj femrës. Pra, qëndrimin që mbahet ndaj saj që nga familja, shkolla, rruga, vendi i punës, gjithkund.
Dhe pastaj nga ai debat të gjendeshin mundësi ligjore për ta mbrojtur femrën nga abuzimi.
Pa bërë ndonjë hulumtim empirik, është e qartë një gjë: femra në shoqërinë tonë është e diskriminuar në familje, në shkollë, në rrugë, në vendin e punës, madje në një masë të tmerrshme.
Fjala vjen, në familje e privojnë edhe nga e drejta elementare e trashëgimisë. Mund të ketë ende edhe raste kur ia imponojnë fejesën-martesën. Në shkollë, në rrugë e në vendin e punës, ekziston dukuria shumë e përhapur që femrën e shohin vetëm si objekt seksi, pra, jo si personalitet me integritet.
Kjo atmosferë është e tmerrshme në shoqërinë tonë. Pikërisht pse është gjendja e tmerrshme, nuk raportohen raste ngacmimesh, dhunimesh, diskriminimesh, sepse e ndiejnë që nuk kanë përkrahje, nuk kanë as mirëkuptim elementar.
Kjo dukuri e ngacmimeve dhe e kushtëzimeve me shërbime seksuale duket se është e përhapur edhe në institucione publike dhe në ndërmarrje private. Problemi është a gjurmohen nga agjencitë kompetente a nuk gjurmohen, ama që nuk raportohen, kjo është e sigurt.
Në prapavijë të kësaj sjellje brutale mashkullore është mentaliteti primitive kanunor, i cili femrën e privon nga subjektiviteti, nga çdo e drejtë. Kjo mendësi barbare e shpall fajtore edhe kur ajo është viktimë.
Nga ana tjetër, as shteti ligjor e as besimet fetare nuk kanë krijuar mekanizma e standarde që ta mbrojnë ligjërisht dhe moralisht femrën nga brutaliteti mashkullor. Këtu jemi.
Ajo vajzë e shkretë është vetëm maja e ajsbergut e një dhune të tmerrshme që po ua shkatërron jetën dhe karrierat vajzave dhe grave në këtë vend. Kush shtiret se nuk e di këtë gjë, thjesht është hipokrit. Ka rrezik se jemi bërë shoqëri që po pajtohet ta hajë turpin me bukë.