Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, raportohet se është afër shkarkimit, pas humbjes si vendas 0 me 2 nga Spali të shtunën.
Edhe pse e mbylli sezonin e shkuar në pozitën e tretë dhe arriti gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ai është në presion të lartë në Stadio Olimpico.
Pas një krize në fillim të sezonit, Di Francesco shënoi katër fitore rresht, por që u ndal nga Spali. Sipas “Corriere dello Sport”, presidenti i klubit James Pallota është i gatshëm ta shkarkojë Di Francescon, por ka vendosur t’i japë edhe një muaj kohë.
Katër ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për Di Francescon. Ai do të përballet dy herë në Ligën e Kampionëve me CSKA-në e Moskës dhe me Napolin e Fiorentinën në Itali.
Pas nëntë ndeshjeve deri tash, Roma ka vetëm 14 pikë dhe është në pozitën e gjashtë, me 11 pikë më pak se lideri Juventus.