Dialogu Kosovë-Serbi me një marrëveshje gjithpërfshirëse do të përfundojë brenda një afati të caktuar, që sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi përputhet me mandatin e kryeministrit, Albin Kurti.
Gjatë intervistës në “Përballje”, në Telegrafi.com, Bislimi tha se afatet kohore për arritje të marrëveshjes janë paraqitur, por ai nuk dha një datë të saktë.
“Afatet kohore faktikisht janë paraqit, por kanë të bëjnë me njëfarë koincidence që edhe mandati i z.Kurti, edhe i z.Biden edhe i z.Borrell përputhen”, tha Bislimi.
Bizlimi theksoi se megjithatë, për Kosovën është shumë me rëndësi që marrëveshja të jetë e mirë.
Ai u zotua se nuk do të nënshkruajnë marrëveshje e cila do të jetë në dëm të qytetarëve të Kosovës.
“Për neve është me rëndësi që marrëveshja fillimisht të jetë e mirë, të mos jetë në dëm të qytetarëve, pastaj afati kohor është I një rëndësie por, jo aq primare sa është kualiteti i marrëveshjes. Nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje për të cilën do ta dimë sigurt që është në dëm të qytetarëve”, theksoi Bislimi.
I pyetur nëse ka hezitim për marrëveshje, Bislimi tha se nga pala kosovare nuk ka hezitim për marrëveshje por kjo duket se vjen nga pala serbe.
“Ka hezitim nga pala tjetër. Ne jemi duke thënë se fokusin kryesor duhet ta kemi tek marrëveshja e përgjithshme, ligjërisht e obligueshme, pala serbe po thotë të merremi njëherë me marrëveshjet tjera të kaluara, pastaj shkojmë të marrëveshja gjithëpërfshirëse”, theksoi Bislimi.