Po bëhen afro nëntë vjet, qëkur ka nisur në Bruksel dialogu që ishte pagëzuar si “dialog mes Beogradit e Prishtinës me lehtësimin e BE-së”.
Ka shumë vlerësime për këtë dialog, nga ato se “është historik” dhe në të është arritur “përparim historik”, e deri tek ato se ky dialog jo vetëm se nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, por ka krijuar më shumë probleme, sesa që i ka zgjidhur.
Por as pas nëntë vjetësh, Bashkimi Evropian si “lehtësues” i dialogut, nuk ka arritur të japë përgjigje të qartë në një pyetje të thjeshtë: për çfarë është, e për çfarë nuk është dialogu?
Që nga nisja e tij, përgjigja në këtë pyetje ka qenë kyç edhe për ta kuptuar qëllimin. Pala kosovare pohonte se qëllimi i dialogut është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe normalizimi i raporteve si dy shtete sovrane, shkruan sot Koha Ditore.
Qëllimi i Serbisë ishte që të dëshmojë se është konstruktive dhe të sigurojë një lloj normalizimi pa pasur nevojë që Kosova të njihet si shtet i pavarur as nga ajo, e as nga të tjerë që nuk duan ta njohin. Ndërsa BE-ja, së paku siç e kishte shkruar në dokumentin bazik për negociatat e anëtarësimit me Serbinë, donte që të ndërmjetësonte në një proces që do të çonte deri te “normalizimi i raporteve përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese” dhe e kishte caktuar këtë edhe si kusht për Serbinë në procesin e integrimeve evropiane.
Që në kohën e nisjes së dialogut pyetja se “për çfarë nuk është dialogu” ishte e rëndësishme për ta sqaruar se statusi i Kosovës ishte një çështje e përmbyllur, se Kosova e kishte shpallur pavarësinë sipas një propozimi ndërkombëtar, ishte njohur nga shumica e madhe e shteteve të BE-së, kjo pavarësi ishte konfirmuar si e tillë që nuk shkel asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare e as të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Pra, me të drejtë, Kosova pohonte se në këtë dialog të Brukselit statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj nuk do të jenë në asnjë mënyrë temë e dialogut.
Por Serbia nuk mendonte kështu. Ajo iu qas dialogut sikur Kosova të mos kishte status. Dhe, pasi BE-ja në çështjet e tilla vendos me konsensus dhe kishte 5 shtetet që ende nuk e njihnin Kosovën. Serbia e shfrytëzoi këtë për të krijuar me sukses përshtypjen se asgjë nuk është e përfunduar dhe se statusi i Kosovës nuk është final e as që janë kufijtë e saj.
Teoria e “ambiguitetit konstruktiv”
Arkitekti i parë i dialogut ishte britaniku Robert Cooper, në atë kohë zyrtar i lartë në BE që punonte në ekipin e përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton. Ai i pari doli me një teori që në librat e diplomacisë mund të duket si e mirë për “ambiguitetin konstruktiv”.
Kjo, sipas tij, shpjegohej me krijimin e qëllimshëm të mundësive që palët për të njëjtën gjë të japin kuptime të ndryshme, shpesh të kundërta. Kështu, nën udhëheqjen e tij në ekipin e BE-së që lehtësonte dialogun u krijua përshtypja se jo vetëm që nuk është dobësi, por është përparësi e madhe që BE-ja nuk ka qëndrim të qartë për statusin e Kosovës dhe se nuk ka unitet të plotë mes shteteve anëtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës.