Prej fillimit të fushatës zgjedhore dialogu me Serbinë ka qenë një ndër temat kryesore për të cilën kanë folur kandidatë për kryeministër në tubimet elektorale. Ata kanë rikonfirmuar qëndrimin për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës në këtë proces, duke u shprehur të gatshëm ta drejtojnë këtë proces. Ndonëse janë zotuar se nuk do të lëshojnë pe në raport me Serbinë, nëse i fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit ata kanë shprehur mendime të ndryshme rreth taksës ndaj mallrave serbe.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se së bashku me Amerikën do ta mbrojnë Kosovën nga Serbia. “Së bashku me Amerikën, Kosova është më e fortë dhe më e sigurt në rrugën e saj të suksesit. Së bashku me Amerikën ne do të fitojmë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe do ta ruajmë integritetin dhe sovranitetin institucional e territorial të Kosovës”, ka deklaruar Veseli në tubimin elektoral në Gjilan.
Kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të ikë nga dialogu me Serbinë siç ka bërë kryeministri në dorëheqje. Gjatë një tubimi elektoral në Suharekë, ajo ka thënë se vetëm me LDK-në kufijtë e Kosovës janë të sigurt. “Kufijtë e Kosovës me LDK-në janë të sigurt. Unë nuk do t’i ik dialogut dhe përgjegjësisë siç ikën frikacakët e tanishëm dhe e lanë Kosovën në duart e Thaçit. Do ta përfaqësoj Kosovën dhe do ta mbroj Kushtetutën me çdo çmim”, ka thënë Osmani.
Gjatë fushatës ajo ka folur edhe për taksën, duke thënë se me ardhjen e saj në qeveri do ta zëvendësojë atë me reciprocitet të plotë. Por, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar çdo përpjekje për heqjen e taksës. Në një tubim elektoral në Gjilan, ai ka thënë se rivalët e tij politikë po nxitohen me këto qëndrime. “Albin Kurti ishte këtu në Gjilan apo Lipjan dhe tha se taksa nuk është politikë e imja. Vjosa tha se e heq për pesë minuta, Kadriu tha se e suspendon menjëherë. Shikoni, ne po mbesim pa instrumentet e nevojshme, pa kundërvlerën e nevojshme për marrjen e njohjes. Më 6 tetor ne ia mundësojmë Kosovës me votën për 119, për t’i ratifikuar vendimet e marra, mos të kthehemi prapa dhe të mund të fokusohemi në punë”, ka deklaruar Haradinaj.
Prej fillimit të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar të gjithë ata që janë marrë deri më tani me dialogun me Serbinë. Sipas tij, është dashur të vendoset reciprociteti politik dhe ekonomik me Serbinë, duke përjashtuar çfarëdo kompromisi me Serbinë. Së fundi, gjatë një tubimi elektoral në Gjakovë, ai ka thënë se Kosova nuk i ka asgjë borxh Serbisë. “Ne nuk i kemi asgjë borxh Serbisë, por ajo na ka borxh neve. Më së paku duke t’i rikujtoj plagët e hapura, por një ndër përgjegjësitë e prioritetet kryesore të miat si kryeministër do të jetë që të shërojmë këtë plagë të hapur për të gjithë shoqërinë. Duhet të shtohet numri i prokurorëve specialë që merren me krimet e luftës dhe përkrahje profesionale dhe financiare për ta. Është krim mbi krimin mungesa e drejtësisë për krimin, mungesa e dënimit të kriminelëve serbë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, që nga fillimi i fushatës ka thënë se është kandidati më i duhur për ta udhëhequr këtë proces. Madje ai u ka bërë thirrjeve të gjithë kandidatëve për kryeministër që të zotohen para zgjedhjeve se do të jenë konstruktivë pas zgjedhjeve në dialogun për Serbinë. “Po futemi në një moment të rëndësishëm të këtij procesi zgjedhor, i cili do ta përcaktojë qartë kahun e vendit tonë për disa vjet, ose për 100 vjetët e ardhshëm. Është shumë e mundur që parlamenti që do të votohet më 6 tetor do ta votojë marrëveshjen me Serbinë. Shumë e mundur që qeveria e cila do të dalë nga këto zgjedhje do ta negociojë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Andaj, kjo nënkupton që duhet të jeni të kujdesshëm kë po e votoni”, ka theksuar Limaj në fillim të fushatës.
Edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se subjektet politike gjatë fushatës duhet ta rikonfirmojnë edhe një herë qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve Kosovë – Serbi. “Mendoj se ka nevojë të rikonfirmohet qëndrimi i partive politike rreth çështjes së kufijve dhe se në dialog me Serbinë parim kryesor të jetë njohja reciproke mes dy shteteve në kufijtë e tashëm të Kosovës. Po ashtu, procesi i dialogut duhet t’i ketë vijat e kuqe siç kanë qenë prej vitit 2011, kur e kam udhëhequr unë këtë dialog”, është shprehur ajo.
Ndërsa njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re do të jetë dialogu me Serbinë. Këtë e ka konfirmuar edhe Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai ka deklaruar se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e gatshme ta pezullojë taksën.