Dialogu Kosovë-Serbi i nisur në vitin 2011 deri më tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat, pasi Bashkimi Evropian (BE) nuk i trajton si palë të barabarta të dy shtetet, kështu ka vlerësuar në një intervistë për Ekonomia Online profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Madje sipas tij, as formati aktual nuk do të ketë sukses, megjithatë Krasniqi tha se Kosova duhet të kërkojë njohje nga pesë vendet e BE-së.
Krejt kjo, siç thotë ai në mënyrë që Serbia t’i qaset seriozisht dialogut dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Unë besoj që dialogu deri tani nuk ka dhënë ndonjë rezultat dhe në formatin që ka nuk do të japë rezultat për shkak se BE-ja nuk i trajton si palë të barabarta Kosovën dhe Serbinë sepse Kosovën 5 shtete nuk e pranojnë dhe ndikimi i tyre në BE është evident”.
“…Serbia do të ishte në pozitë komplet tjetër dhe do të detyrohej përnjëmend t’i qasej seriozisht dialogut dhe të merrte atë që mund të marr një marrëveshje të ndershme e cila do të nënkuptonte pashmangshëm pranimin e pavarësisë së Kosovës”.
Profesori Krasniqi potencoi se të gjitha qeveritë janë vonuar dhe nuk kanë punuar që Serbia të paguajë për dëmet që shkaktuar në Kosovë, duke filluar nga gjenocidi, padia për spastrim etnik dhe çështja e të pagjeturve.
“Qeveria e Kosovës tani dhe qeveritë e kaluara janë vonuar dhe nuk kanë punuar mjaftueshëm për adresimin e përgjegjësisë së Serbisë. Deri tash është dashur të ngritej padia për spastrim etnik dhe gjenocid, të hartohej shuma e dëmeve që ka shkaktuar agresioni ushtarak serb në vitet 1998-1999. Deri tash është dashur të kërkojmë me ngulm për të zhdukurit që është një dhimbje e tmerrshme e Kosovës”.
“Të gjitha këto janë përmendur në planin politik në fushatë, por kjo është çështje e institucioneve, organeve të drejtësisë, e ministrisë së punëve të jashtme. Fatkeqësisht nuk kanë qenë prioritet sepse kjo ka kërkuar një ballafaqim më të madh me problemet. Natyra e politikanëve është të gjejnë forma më të lehta te veprimit që janë në pajtim me pëlqimin e opinionit publik”.
Përderisa njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula tha se vendimmarrja sa i përket dialogut i takon Kosovës dhe Serbisë, por mbështetje të parezervë po e jep ShBA-ja.
Pula theksoi se presidenti serb Aleksandar Vuciq ka përvojë shumë vjeçare në çështjen e dialogun, kurse përvoja e kryeministrit Albin Kurti është e mangët në këtë proces, raporton EO.
“Vendimmarrja i takon dy vendeve tona Kosovës dhe Serbisë. Lehtësimin e dialogut po e bënë Brukseli ndërkaq mbështetjen e parezervë po e japin ShBA-ja. Në këtë drejtim do të thoja që të gjithë përfaqësuesit e huaj, diplomatët ndërkombëtar të cilët vizitojnë Kosovën vinë me një porosi të qartë karshi Kosovës. Nuk duhet të harrojmë që në Serbi presidenti Vuciq tash e 10 vjet është pjesë e dialogut dhe ka një përvojë në këtë drejtim ndërkaq kryeministri i Kosovës Albin Kurti është vetëm një vjet në qeveri dhe përvoja e tij është e mangët”.
Tutje, ai shtoi se politikanët jo domosdoshmërish janë edhe ekspert të temave të caktuara prandaj cilido qoftë përfaqësuesi që merr pjesë në bisedime do të duhej që krahas tij apo saj të ketë një ekip njerëzisht që janë profesionist të fushave të caktuara.
“Një mbështetje edhe morale është një nxitje për të vazhduar tutje me hapat që e presin Kosovën në një mundësi për arritjen e marrëveshjes të qëndrueshme sa i takon dy vendeve tona. Politikanët jo domosdoshmërish janë edhe ekspert të temave të caktuara prandaj cilido qoftë përfaqësuesi që merr pjesë në bisedime do të duhej që krahas tij apo saj të ketë një ekip të tërë njerëzisht të cilët janë profesionist të fushave të caktuara në mënyrë që të asistojmë për një vendimmarrje të qëndrueshme në të mirën e qytetarëve të vendit tonë”, tha Pula.