Dialogu në rend dite të ministrave dhe shefave të BE-së javën tjetër

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 22:03 | Nga Ekonomia Online

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd bashkë me katër kolegët e tjerë të tij, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së të hënën, si dhe njoftoi se për këtë do të diskutohet edhe nga liderët e BE-së më vonë gjatë javës së ardhshme në Këshillin Evropian.Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme europiane as për Serbinë, as për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, si ato aktuale ashtu edhe ato më herët që të shohim një rajon stabil, të begatë dhe europian të Ballkanit Perëndimor, prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Lajçak në Beograd.

Sikurse në Prishtinë, Lajçak edhe në Beograd tregoi se temë e vizitës ishte përparimi në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe deeskalimi i situatës, derisa ka potencuar se për sulmin terrorist të 24 shtatorit Serbia duhet të bashkëpunojë për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se dënojmë fuqishëm sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët e sulmit duhet të sillen para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë drejtim”, tha Lajçak pas takimit.

Ai shtoi se liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre dhe se si palët duhet të punojnë për deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne ia kemi përcjellë atë mesazh presidentit Vuçiq. Serbia dhe Kosova kanë hyrë në marrëveshje të reja në shkurt dhe mars të këtij viti dhe presim që të dyja palët të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre si nga marrëveshjet e reja ashtu edhe nga ato të vjetra”, tha Lajçak.

Emisari evropian në Prishtinë tha se Kosova duhet të nisë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak tha gjithashtu se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me Vuçiqin dhe Kurtin do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

I dërguari i BE-së Miroslav Lajçak dhe emisari amerikan Gabriel Escobar, të shoqëruar nga diplomatët më të lartë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, fillimisht janë takuar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Të ngjashme