Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq të dielën do të takohen në Bruksel, me ç’rast pritet të nisë faza finale e dialogut. Megjithatë, dy ditë para takimit i pari i shtetit të Kosovës nuk ka bërë të ditur se cilat tema do të diskutohen në kryeqendrën evropiane.
Në anën tjetër, monitoruesit e dialogut thonë se nisja e kësaj faze pa një konsensus të gjerë politik mund ta rikthejë në Kuvend skenarin e Demarkacionit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse pas dy dite (të dielën) pritet të nisë faza finale e dialogut me Serbinë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk i ka bërë publike temat që do të diskutohen në këtë fazë, ndonëse pikërisht ai do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces.
Monitoruesit e dialogut konsiderojnë se shkuarja e Thaçit në Bruksel njëanshëm, pa u arritur një konsensus i gjerë politik, mund t’ia kthejë Kosovës sërish skenarin e Demarkacionit, shkruan më tutje “Zëri”.
Sipas tyre, po qe se kjo fazë përfundon ashtu siç po nis, pa një dakordim të gjerë, marrëveshja finale Kosovë – Serbi, e cila kërkon 80 vota për t’u miratuar në Kuvend, mund të marrë disa vjet për t’u miratuar, siç kishte ndodhur me Demarkacionin me Malin e Zi.
Teksa ka folur për këtë proces ish-kryenegociatorja e palës kosovare, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se arritja e një konsensusi të gjerë politik është jetike për fazën përmbyllëse të negociatave me Serbinë..