Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, thotë se negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk mund të ecin përpara pa partitë opozitare.
“Është e qartë që ky proces nuk mund të ecë përpara pa konsensus, pa partitë opozitare. Do të shkojmë në secilin takim të thirrur nga pushteti, nga opozita, e cila ka të bëjë me krijimin e konsensusit nacional për dialogun me Serbin,” është shprehur Sejdiu pas pjesëmarrjes në takimin e thirrur nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, raporton EkonomiaOnline.
Rezoluta është sipas Sejdiut eshtë dokument që nuk i plotëson kriteret minimale.
“Pushteti prezantoi një rezolutë, ne prezantuam pozicionin e PSD-së dhe vetëm kështu mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Politikën duhet ta shndërrojmë nga diskutime armiqësore, në përballje të argumenteve. Kushdo që na fton nga subjektet politike, këtë qëndrim do ta prezantojmë. Kuvendi është edhe vendi edhe mënyra për me gjet konsensusin.”
“Tepër me rëndësi është që diskutimi dhe platforma shtetërore me u diskutu në Kuvend. Ky dokument është dokument i cili nuk plotëson kriterin minimal nëse nuk shkon në Kuvend dhe nuk merr përkrahjen e Kuvendit. Përmbajtja pa Kuvend nuk garanton kurgjo hiq pa platformë shtetërore, cila është detyra e zotëri Limaj.”
“Kemi disa rezoluta të tjera për me i sjell në Kuvend, para kësaj të Kuvendit, e qartë është që ky takim është thirr sepse mungon vota.”
LEXO Edhe: Veseli-LDK-së e VV-së: Ta mbrojmë territorin, s’ka asociacion me kompetenca ekzekutive
Edhe sipas deputetes së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, Kosova duhet të ketë një platformë të bisedimeve me Serbinë, por aktualisht sipas saj zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e parakohshme, raporton EO.
“Pa fillu bisedimet është e pamundur të arrihet çfarëdo marrëveshje në procesin e dialogut. Pavarësisht pozicionit pozitë-opozitë Kosova duhet të ketë një platformë. Nëse nuk arrihet një konsensus mes partive shqiptare atëherë duhet të shkohet në zgjidhje tjetër, e kjo zgjidhje është zgjedhjet e parakohshme.”
“Ajo çfarë po ndodh në Kosovë është një bllokim i tërësishëm institucional. Alternativa e konsideron të domosdoshëm konsensusin mes partive shqiptare nëse kjo nuk arrihet atëherë vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Kryeministrit i kam thënë se kjo situatë ka ardh si rezultat i tërheqjes së tij nga dialogu,” është shprehur Kusari-Lila pas takimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ishin të pranishme në takimin e thirrur nga Veseli.