Tani për tani mund të thuhet se Qeveria Kurti nuk është transparente sa i përket dialogut.
Ajo më e rëndësishmja është se do të duhej të dihet më shumë se çfarë ka në tavolinë, së paku diçka më shumë se që dihet për momentin. Mirëpo, ndoshta disa gjëra nuk janë edhe për t’i bërë publike, sepse mund ta dëmtojnë procesin.
Por, sa irritime dhe dyshime qëllimshëm dhe pa argumente kanë ngritur tek qytetarët me rrena dhe pa sinqeritet, për të gjitha qeveritë e kaluara, VV-ja dhe Kurti, sa i përket procesit të dialogut…
Faton Abdullahu
1) Dialogu Kosovë – Serbi si dikur edhe tani do të jetë për kohë të gjatë në qendër të vëmendjes si prioritet i parë dhe do të jetë e vështirë për ta eklipsuar apo anashkaluar me çfarëdo tema tjera të mira apo negative. Ata që kanë thënë se dialogu nuk do të jetë prioritet kanë rrejtë shumë dhe për këtë janë shpërblyer me shumë vota. Si ka mundësi ? Po mirë bile. Jo vetëm gjatë fushatës së fundit, qytetarit të Kosovës, të lodhur nga stërzgjatja e dialogut, i është imponuar me djallëzi përshtypja se dialogu nëse nuk është prioritet sot do të hap mundësi nesër që të ndreqen punë që kanë të bëjnë me kualitetin e jetës së tij. Grackë tipike populiste.
2) Kurti si dje në opozitë, si sot në Qeveri ka folur dhe i ka trajtuar forcat politike tani në opozitë jo vetëm si të korruptuara dhe kriminale, jo vetëm që falën tokë Malit të Zi për të mbetur më gjatë në pushtet, por edhe si opozitë që ka bërë marrëveshje që bashkë me Vuçiqin t’i japin tokë Serbisë. Ky narracion vazhdon edhe sot, tashmë i zyrtarizuar. Si ka mundësi që tani kjo Qeveri me këtë qasje t’i ftoj këta opozitar, hajna, tradhtar e kriminel, në dialog. Si ka mundësi që kjo opozitë ta ndihmoj dialogun me Serbinë. Pra për këtë ftesë, qeveritare ndaj opozitës, nuk ka vend as logjikë, prandaj ajo është e pasinqertë. Thjeshtë grackë për t’i futur opozitarët në të.
3) Qeveria Kurti është eurofile. Ajo është e tillë më shumë se çdo qeveri, frymë, koncept apo politikë e më hershme në Kosovë. Në rastin e dialogut kjo Qeveri preferon më shumë Brukselin se sa SHBA-t. Kjo nuk ndodh pse dialogu bëhet në Bruksel, as pse BE e mbështet dhe organizon këtë proces, jo kjo do të ishte normale, sepse kështu ka qenë edhe më herët. Kjo nuk bëhet as edhe pse ka ndryshuar diçka për të mirë në Bruksel në raport me Kosovën. Jo. Kjo ndodh sepse Kurti si politikan dhe Qeveria që ai udhëheq kanë krijuar mendësi politike tash sa vite se shumë të këqija që kanë ndodh në këtë vend për to ka përgjegjësi edhe SHBA-ja. Kjo kurrë nuk është thënë aq troç por gjithmonë është lënë të kuptohet vetvetiu. Qeverisë Kurti deri më tani i ka shkuar për dore që këtë marrëzi politike me ngarkesa eurofile në dëm të SHBA-s, ta kamufloj mirë dhe ta shes së fundi se ka qenë e tillë vetëm ndaj Administratës Tramp e nuk është e njëjta edhe me Administratën Biden. Përshtypja ime është se me atë çfarë po bëjnë SHBA-t sot me Kurtin, është përpjekje për ta mbrojnë atë nga antiamerikanizmi i tij, natyrisht për të mirën e Kosovës. SHBA-t në dialog, tani për tani, më shumë janë duke pritur se çfarë do të bëjë Kurti se sa që po koordinohen me te se çfarë duhet bërë. Kështu nuk ka qenë më parë.
4) A mund të jetë ‘Asociacioni i komunave serbe’ multietnik, pra të mos jetë vetëm serb. Jo. Kjo është vetëm gjetje e mirë teorike për t’i bishtnuar praktikës së vështirë. Kjo është ofertë refuzuese për të krijuar mundësi që dialogu të prolongohet. Kjo është edhe ofertë një lloj karte apo xhokeri politik për të krijuar mundësi që edhe të dilet krejt nga dialogu. Në Kosovë dhe Ballkan problemet ishin dhe janë etnike. Në rend të parë me këtë nuk do të pajtohen evropianët, më saktë Brukseli. Në kulturën politike evro-perëndimore ideja se edhe me institucione të veçanta, si dhe me koncept të veçantë juridik, duhet të mbrohen të drejtat e minoriteteve, është shumë e fortë dhe kohë të gjatë e konsoliduar. Prandaj është shumë e vështirë për ta kundërshtuar këtë mendësi e kulturë politike evropiane për mbrojtje etnike me qasjen multietnike si ofertë. Sigurisht se Serbia do ta refuzoj këtë shumë dhe pahezitim. Në anën tjetër, sikur Kurti dhe VV të shquheshin në punën e tyre shumëvjeçare në opozitë, me përpjekjen për ti mbrojtur dhe begatuar të drejtat e komuniteteve në Kosovë, ndoshta ndonjë besim i mbëltuar më herët te komuniteti serb, do ta ndihmonte këtë projekt. Por Kurti kurrë nuk ka ditur ta bëj këtë. Bile mu për shkak të kësaj qasje, ka dështuar pa filluar ajo e njohura noshalante se,së pari do ta bëjmë dialogun përbrenda Kosovës me komunitetin serb këtu. Natyrisht se serbëve kjo u është dukur grackë të cilën duhet anashkaluar.5) Tani për tani mund t thuhet se Qeveria Kurti nuk është transparente sa i përket dialogut. Ajo më e rëndësishmja është se do të duhej të dihet më shumë se çfarë ka në tavolinë, së paku diçka më shumë se që dihet për momentin. Mirëpo për ta thënë në mënyrë të balancuar, ndoshta disa gjëra nuk janë edhe për t’i bërë publike, sepse mund ta dëmtojnë procesin. Por kur gjykohem ta bëj një konstatim të tillë, më bie ndërmend se, sa irritime dhe dyshime qëllimshëm dhe pa argumente, kanë ngritur tek qytetarët me rrena dhe pa sinqeritet, për të gjitha qeveritë e kaluara, VV-ja dhe Kurti, sa i përket procesit të dialogut dhe kjo më revolton pashmangshëm. Jo pse VV dhe Kryeministri aktual kanë bërë gjëra të tilla dikur dhe sot po e bëjnë të kundërtën kur janë në qeveri, por pse më këtë politikë populiste kanë fituar vota, shumë vota. Së paku tani do të duhej për arsye të njëjta të humbin simpatinë politike, që dorën në zemër po e humbin më shpejt se që kanë shpresuar edhe kundërshtarët më të rreptë të kësaj Qeverie.