Dick Marty kundër Zvicrës, s’e duron policinë në shtëpi, kërkon shpjegime nga shteti i tij

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, që nga viti i kaluar është futur në një masë sigurie të rreptë pas një kërcënimi serioz për jetën e tij. Tek tash ai ka vendosur të flasë hapur dhe të drejtojë gishtin nga serbët për t’i demaskuar ata, të cilët po i akuzon si autorë të komplotit për ta lënë të vrarë atë. Por, ai ankohet edhe në vetë shtetin e tij që nuk po e neutralizon kërcënimin ndaj tij tash e një kohë, duke akuzuar se këtë po e bën për arsye politike.

Për ish-raportuesin e Këshillit të Europës krejt së fundi kanë raportuar mediat zvicerane, që thirren në shërbimin sekret zviceran, se inteligjenca serbe ka planifikuar vrasjen e Martyt, për t’ia hedhur më pas fajin Kosovës. Raporti i Martyt i vitit 2010 me të cilin akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, çoi në ngritjen e Gjykatës Speciale dhe vendosjen në bankën e të akuzuarve të krerëve të ish- gueriles kosovare.

Zyra Federale e Policisë së Zvicrës, në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar se nga dhjetori i vitit 2020 ka qenë një situatë serioze e kërcënimin ndaj Dick Martyt. Dhe për këtë arsye, policia zvicerane që nga kjo kohë është angazhuar për ta mbajtur Martyn larg shënjestrës së atentatorit.

“Përveç aspekteve të së drejtës penale, çështja përfshin në veçanti garantimin e sigurisë personale dhe gjithashtu ka komponentë politikë për shkak të kontekstit të supozuar transnacional. Për këtë arsye, autoritete të ndryshme federale dhe kantonale janë të përfshira në këtë rast në fushat e tyre përkatëse të përgjegjësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, fedpol dhe autoritetet e tjera partnere kanë marrë masa gjithëpërfshirëse në këtë kontekst”, thuhet në përgjigje.

Për të garantuar sigurinë, policia federale zvicerane thotë se mori masa të gjera mbrojtëse bazuar në një vlerësim të rregullt të situatës, duke përfshirë sigurinë në mjedisin e afërt të Martyt (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje të ngushtë gjatë paraqitjeve në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike, për shembull në vendbanim).

“Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Masat e sigurisë dhe të mbrojtjes janë ende duke u zbatuar, për këtë arsye – për të mos cenuar në mënyrë të panevojshme efektivitetin e tyre – nuk bëhen të ditura detaje për këtë”.

Megjithatë, Marty s’është i kënaqur me punën e autoriteteve zvicerane, sepse do që frikës së tij t’i vijë fundi.

“Këshilli Federal ka ndërhyrë dy herë në çështjen time; mungesa e një strategjie për të neutralizuar kërcënimin ndaj meje është për arsye politike, të konsideruara më të rëndësishme se sundimi i ligjit. Berni zyrtar nuk dëshiron të ketë probleme me askënd, por në realitet ka qenë gjithmonë pak i tillë. Më vjen keq që asnjë nga politikanët përgjegjës për këto vendime nuk deshi të më jepte një shpjegim”, tha Marty në një intervistë për një radio zvicerane.

Marty tha se për hir të respektit ndaj autoritetit gjyqësor federal ka qëndruar i heshtur për këtë, por se iu bë i tepërt presioni mbi familjen e tij dhe veçanërisht mbi nipërit e tij.

“Me këtë gjest dua të demaskoj edhe dizajnin kriminal që përndryshe do të kishte gëzuar heshtjen, aftësinë për të lëvizur në hije dhe për të krijuar habi. Nuk duhet të kemi frikë nga zhurma e të këqijve, por nga heshtja e të ndershmëve”, ka thënë Marty.

Marty po ua lë fajin serbëve edhe për orkestrim të urrejtës ndaj tij, derisa mohoi se ka pasë gisht në arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Për disa arsye, shtypi shqiptar filloi të më targetojë mua si dhe janë adresuar fjalë të urrejtjes edhe në parlament, pavarësisht se unë s’kam pasur asgjë të bëjë me arrestimin e presidentit Hashim Thaçi. Megjithatë, më vonë u zbulua se ishte një operacion i orkestruar nga elemente të grupeve ekstremiste serbe brenda shërbimit sekret që donin t’ia linin fajin Kosovës për atentatin ndaj meje”.

Marty, në një ndër intervistat e tij, tha se ishte e habitshme për të që kërcënimi nuk erdhi nga ata “që unë akuzova, por erdhi nga kundërshtarët e tyre”.

Të ngjashme