E takova sot në Gjilan rastësisht një djalë 19 vjeçar ishte besoj. Më ndali dhe më pyeti në gjuhën e tij: ”A ka naj center”…dhe u stepa i thashë “Të lutem nuk po të kuptoj”.
E pash që çalonte dhe e pyeta nga je:”Nga Gjermania”…po po mirë po nga cili vend. ”Nga Presheva”, mu përgjigj.
I thashë po mirë pse nuk po flet shqip si duhet se as gjermanisht besa nuk je kah din. Ma bëri me duar se është në zor për ushqim. ”Restorant po mendon”? ”Po” më tha.
Vërtet e dhimbshme e tejet shqetësues kjo situatë, kur një djalë aq i ri me tatuazhe e flokë të rruara nuk din të orientohet në një vend ku flitet shqip.
Mërgimtarët duhet me u marrë më shumë me veten, me edukimin e tyre, arsimimin familjar e personal, duhet urgjentisht ta njohin veten e tyre dhe prejardhjen se prej nga vijnë.
Kuptohet që kam shumë respekt për mërgimtarët, sepse vetë jam fëmijë i mërgimtarit të viteve 1967/68, por kur e shoh këtë nivel dhe kur hynë pastaj në rrjetet sociale dhe e sheh fjalorin e tyre skandaloz, i sheh sharjet, kërcënimet ndaj çfarëdo kategorie njerëzish, kjo më bënë edhe më shqetësues.
Ku po dua të dali me këtë rrëfim timin prekës me këtë djalin nga Presheva..po s`ka lidhje se ka shumë të tillë që kam takuar çdo dit edhe në Gjilan e më gjerë.
Nëse mërgimtarët e mirë punojnë natë e ditë, punojnë se s`kanë qare, se i tillë është sistemi atje, atëherë kur vijnë pastaj në Kosovë me ato pak të holla që i kanë dhe me atë pak dije që posedojnë, mundohen me të tregue se qysh duhet me veprua na në Kosovë.
Pra se ka as shkollën e mesme të përfunduar dhe ty të shet mend për politikë, për shtetin e Kosovës që s’e ka pas as në ëndërr, të shet mend për Albin Kurtin dhe atë krahun tjetër të “kriminelëve” që kinse ua kanë hangër mundin e djersën atyre. Absurde gjithsesi.
T`i kthehem thelbit të problemit.
Po shoh që kohëve të fundit ka disa aktgjykime ndaj mërgimtarëve për gjuhën e shfrenuar në rrjetet sociale. Po i gëzohem këtij fakti sepse edhe vet kam pasur telashe me njerëz nga diaspora. Ide nuk keni qysh kanë folur but e urtë pasi u ka shkuar policia në banesë në Zvicër.
Të merremi vesh vetëm në raste ekstreme, në ato raste kur në telefon e lus që mos me ofendue dhe mos mem kërcënue sepse pasojnë sanksionet dhe nëse nuk tërhiqet menjëherë e njoftojë policinë dhe pastaj dihen pasojat.
Berat Buzhala në ditarin e tij e kishte trajtuar fort bukur rastin e Avdulla Hotit. Mos harroni një kërcënim ndaj një gazetari, politikani, zyrtari po edhe të tjerëve merret shumë seriozisht. Ka pasur dhe ende ka “Task Forcë” për të mbrojtur gazetarët nga kërcënuesit.
Pra, lutja ime është shumë e sinqertë për diasporën. Punoni shumë me fëmijët e juaj, mësojani gjuhën amtare, largojeni nga gjuha e urrejtjes dhe fyerjet e kërcënimet në rrjetet sociale.
Mos i shkaktoni telashe vetës sepse ligji do ju ndjek ku jeni e ku nuk jeni, aq më parë kur ju thirrni me telefon nga perëndimi, e që është fare lehtë të regjistrohet biseda.
Dhe mos u habitni kur të hipni në aeroplan psh nga Zvicra për Prishtinë dhe të ndalohesh në aeroport nga policia. Pastaj dihet se çfarë procedure mund të zhvillohet ndaj jush.
Unë personalisht nuk e fali asnjërin prej tyre..kushdo që me ka kërcënuar, e kam paraqitur në polici dhe prokurori. Ide nuk keni pastaj sa njeriun ta dërgojnë të njëjtit për me fal. E pse me të fal unë ose ai tjetri gazetar, kur t`i po e merr ligjin vet në dorë.
Nuk është liri e shprehjes me të thirr në telefon, madje pa të njohura fare dhe më thanë:”Nesër ora 12.00 kam me të vra” e të tilla kërcënime që janë tejet serioze.
Ky ishte një shkrim që ka përmbajtje edukative dhe shpresoj që edhe pjesa ime e mërgatës, madje edhe dikush nga familja ime e gjerë, të mësoj nga kjo përvojë dhe të shoh se gjërat janë shumë më të thella sesa ju mendoni.
Respektojeni vetën pastaj kujdesuni edhe për respektin ndaj të tjerëve.
Të kuptohemi unë asnjëherë në jetën time nuk e ofendojë askënd, madje as në rrjete sociale, e as në një mënyrë tjetër. Pse u dhemb e vërteta që i nxjerr ose i kam nxjerr me hulumtimet e mija gazetareske, ky është profesion imi dhe këtë mision e kam.