Dieta e janarit, 10 ndryshime që duhet të bëni në fillim të vitit

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Festat vijnë dhe ikin dhe lënë mbrapa shumicën prej nesh mbi një peshore, duke vënë duart në kokë. Dhe pastaj vijon shprehja më e përdorur në janar “do filloj urgjentisht dietën!”.

Në fakt ky mendim është hapi i parë drejt zgjidhjes.

Është e thjeshtë të rrish pa ngrënë dhe të shohësh peshoren të tregojë më pak, por për sa kohë? E pra, nëse nuk vendosni të bëni ndryshime të cilat do t’i mbani përgjithmonë, do të përfundoni në një cikël vicioz ku pesha do të ulet dhe ngrihet si një sustë që kërkon forcë për ta shtypur dhe sa ta lirosh do të kthehet me shpejtësi atje ku ishte. Për ta evituar këtë fenomen është shumë e rëndësishme që të bëni ndryshime të cilat ju përshtaten dhe jeni në gjendje t’i mbani përgjithmonë.

10 ndryshime të vogla për rezultate të mëdha

– Mos bini pre e dietave = greva urie! Trupi ka të drejtë të ushqehet dhe madje të ushqehet mire dhe të përmbushë ndjesinë e të qenit i ngopur. Sa më shumë të uritur ta lini, aq më kalorike do të jenë ushqimet, shkruan EO.

– Filloni ditën me një mëngjes të plot, si psh: një fritate (omletë e pjekur në furrë) me zarzavate të ndryshme do të ishte një zgjedhje shumë e mirë. Shume persona më thonë “unë po hëngra mëngjes, më hahet gjithë ditën!” Po kjo është gjëja më normale! A e dinit se të rrish gjithë ditën pa ngrënë dhe të hash në darkë ç’të të dalë përpara është një nga shkaqet kryesore të shtimit në peshë?

– Mos lini më shumë se 3 orë stomakun pa ngrënë. Merrni me vete minisanduiçe, fruta, krakera, kokoshka të bëra vetë ose kos pa yndyre (dhe pa fruta, pasi ka sheqer të panevojshëm).

– Vendosni të konsumoni 2 sallata të bollshme, një në drekë dhe një në darkë dhe konsumojeni në fillim. Sallata duhet të ketë të paktën 2 lloje zarzavatesh ku njëri lloj të jetë patjetër zarzavat me ngjyrë jeshile të thellë, si spinaqi ose pazija dhe lloji tjetër të jetë një ngjyre tjetër, sipas preferencës tuaj. Zgjidhni vaj ulliri cilësor për të spërkatur zarzavatet. Dy luge të mëdha vaj ulliri mjaftojnë për një sallatë për dy persona.

– Jepini rëndësi vendosjes së shpeshtë të peshkut në menunë tuaj. Tre – katër herë në javë do të ishte ideale. Kocë, levrek, sardele, ngjala, salmon dhe ton në konservë uji mund të përbëjnë disa nga zgjedhjet tuaja duke i dhënë larmi njëkohësisht gatimeve.

– Vendosni frutat e thata dhe farat në mbasditet tuaja. Nëse e keni më të lehtë, mund t’i vendosni në sallatat tuaja së bashku me disa feta të holla avokadoje. Të gjitha këto së bashku me vajin e ullirit në sasi të vogël (30-40gr/ditë) ofrojnë yndyrna të cilat ndihmojnë djegien.

– Nëse hani jashtë, ndajini racionet me dikë tjetër!

– Pini mjaftueshëm ujë, që do të thotë 1,5L /ditë për femrat dhe 2L/ditë për meshkujt. Çaji jeshil është një antioksidues shumë i fuqishëm, mund ta preferoni disa herë në ditë, por pa sheqer. Evitoni në mënyrë absolute pijet e gazuara (përjashtuar ujin e gazuar) dhe lëngjet e gatshme, pasi përmbajnë sasi të mëdha sheqeri.

– Evitoni për pak kohë alkoolin nëse e keni tepruar gjatë festave. Jepini mundësi mëlçisë të rigjenerohet. Evitoni sheqerin dhe ushqimet e gatshme.

– Lëvizni, lëvizni, lëvizni…. 30 minuta ecje të shpejtë në ditë rezulton në 0,5 kg më pak brenda muajit!

Dhe një nga këshillat më të rëndësishme: Hani me kafshata të vogla, hani ngadalë, bluajeni sa më mirë ushqimin dhe mos kryeni aktivitete të tjera gjatë ngrënies, si psh puna në kompjuter ose biseda në telefon etj. Përqendrohuni te e ngrëna në mënyrë që të kontrolloni veten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme