Rreth orës 07:00 të mëngjesit, dy lokale në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë përfshirë nga zjarri, raporton Ekonomia Online. Përveç dëmeve material nuk është raportuar për të lënduar.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikëseve në Kryeqytet, Malë Gashi, tha se kanë arritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes duke bërë lokalizimin e shuarjen e zjarrit.
Ai konfirmuar se për shkak të reagimit të shpejtë e efikas është parandaluar djegia e Fakultetit të Mjekësisë që gjendet prapa lokaleve të djegura.
“Kjo informatë është marrë në ora 07:15, është dhënë informacioni se është duke u djegur një lokal. Kemi ardhur në mënyrë shumë të shpejtë, fati që nuk ka pasur kolonë. Kemi ndërhy në shuarjen e zjarrit, dhe e kemi lokalizuar zjarrin. Nuk kemi informata për të lënduar”.
“Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. Zjarrfikësit kur kanë intervenuar kanë reaguar edhe një pjesë tjetër që nuk e kanë lënë me depërtuar edh enë pjesën e Fakultetit të Mjekësisë”.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Sot rreth orës 07:00, është raportuar se në QKUK në Prishtinë , një objekt (lokal) është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zyrtarja për informim e Policisë.