Anija turistike ‘Aqua Marine’ është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm, pranë brigjeve të Karaburunit në jug të Shqipërisë.
Nga kjo ngjarje e rëndë fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur zjarri që dyshohet se ka ardhur nga pjesa e motorit, ka përfshirë të gjithë anijen. Ekuipazhi me 5 persona në bord ka qenë në gjumë në momentin kur janë shfaqur flakët dhe kanë arritur të shpëtojnë pa dëmtime duke u hedhur në det, raporton Tch.
Anija turistike përshkruante linjën Vlorë-Karaburun.
Policia Kufitare ka reaguar për zjarrin që përfshiu anijen turistike.
Në njoftimin e Policisë thuhet se “mjeti lundrues i ‘Aqua Marine’, duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve”.
Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj.
Në këtë mjet lundrues ndodheshin 5 persona, të cilët nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht.
Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.