Procesi i digjitalizimit të sistemit arsimor në Kosovë, ende nuk dihet se kur do të përfundojë. Por, sipas Ministrisë së Arsimit, me Planin e ri Strategjik, digjitalizimi është një nga tetë shtyllat kryesore.
Disa shkolla kanë filluar këtë proces, ndërsa ekspertët thonë se digjitalizimi është e ardhmja e sistemit arsimor.
Disa shkolla të vendit janë pajisur me teknologji për të filluar procesin e digjitalizimit, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë se sa shkolla janë të përfshira aktualisht në këtë proces. Një nga shkollat me numrin më të madh të nxënësve, “Ismail Qemali” në Prishtinë, është përfshirë në digjitalizim.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, tha për Radio Kosovën, se Komuna e Prishtinës ka ndihmuar në shpërndarjen e rrjetit në të gjithë shkollën, ndërsa pajisjet teknologjike janë fituar përmes projekteve të ndryshme.
Në shkollën “Ismail Qemali”, shumica e mësimdhënësve i përdorin pajisjet digjitale gjatë procesit mësimor. Por, drejtoresha Krasniqi, tha se shkolla ka mungesë të IT-ve, të cilët ndihmojnë procesin digjital gjatë mësimit.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se digjitalizimi është e ardhmja e sistemit arsimor në Kosovë, dhe rrugëtimi i politikave duhet të jetë drejt kësaj reforme.
“Mirëpo, digjitalizimi ka kuptim vetëm nëse sistemi si tërësi është i gatshëm për diçka të tille. Pra, nuk mund të kemi mësimdhënie digjitale pa mësimdhënës me kompetencë të mjaftueshme digjitale, dhe nxënës e prindër që kuptojnë dhe janë të vetëdijshëm për digjitalizimi”, tha ai.
Ministria e Arsimit, ka deklaruar se me Planin e ri Strategjik, digjitalizimi është një nga tetë shtyllat kryesore.
Zëdhënësja e Ministrisë, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se është planifikuar që brenda pesë vjetësh, secila shkollë të ketë qasje në internet.
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit, të gjitha investimet në digjitalizimin e sistemit arsimor, kanë koston rreth 50 milionë euro brenda periudhës kohore 2022/2026, ndërsa pritet që të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm.