Procesi i digjitalizimit po konsiderohet i domosdoshëm në dhënien e subvencioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), veçanërisht në rritjen e efikasitetit. Kështu u tha në konferencën për media, të organizuar nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), raporton Ekonomia Online.
Në këtë raport janë analizuar 51 thirrje të hapura nga MKRS gjatë një periudhe tre vjeçare (2021-2023), dhe bazuar në këto të dhëna, si dhe në përvojat e aplikuesve/ përfituesve, janë identifikuar disa sfida në procesin aktual të dhënies së granteve dhe subvencioneve. Raporti gjen se koha e vlerësimit të aplikuesve nga momenti i mbylljes së thirrjeve e deri tek shpallja e fituesve, është 48.8 ditë pune.
Ndërsa, ligjërisht është e përcaktuar se kjo duhet të ndodhë për 15 ditë. Sfidat tjera që janë identifikuar në këtë proces janë: objektiva të thirrjeve që janë sipërfaqësore dhe të përgjithshme, mospërputhje të karakteristikave të përfituesve me kriteret e thirrjes, mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit, etj. Në fazën e zbatimit dhe monitorimit të projekteve përfituese, problemet kryesore janë vonesat në nënshkrimin e kontratave, e që rrjedhimisht ndikojnë në realizimin e projekteve, si dhe mungesa e monitorimit të zbatimit të projektve për shkak të mungesës së burimeve njerëzore në MKRS.
Rrona Zhuri, koordinatore e hulumtimeve në GAP, ka thënë se 38 për qind e gjithsej buxhetit të përgjithshëm të MKRS-së është dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.
Ajo ka thënë se procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve të cilat kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është një ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione, me rreth 38 për qind të gjithsej buxhetit të përgjithshëm të saj të dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Megjithatë, procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve. Këto sfida kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS”, ka thënë Zhuri.
Ajo po ashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet MKRS në këtë çështje.
“Disa nga sfidat që janë evidentuar ndër vite janë mos funksionimi i sistemit online të Ministrisë si dhe platformës E-Kosova, humbja e dosjeve ose dokumenteve të aplikuesve nga ministria. Mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit. Deri më tani, aplikimet janë bërë përmes dorëzimit fizik të dokumenteve ose përmes e-mailit. Si zgjidhje e duhur në këtë situatë është digjitalizimi i procesit të dhënies së granteve dhe subvencioneve nga MKRS”, ka thënë ajo.
Besart Zhuja, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ky studim bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve.
“Ky është një studim që ka ardhë si pasojë e nevojës për adresimin e sfidave që kanë derivuar si rezultat i problemeve të shumta në aspektin e dhënies së granteve dhe subvencioneve të përvitshme nga ana e MKRS-së. Në thelb, studimi bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve”.
“Përgjatë periudhës 2021-2023 janë analizuar 51 thirrje të hapura. Ato janë analizuar sistematikisht. Aty përfshihet korniza ligjore ku përfshihen ligje e rregullore, e gjithashtu janë analizuar strategjitë aktuale për trashëgimi kulturore dhe rini, derisa për sport, MKRS vazhdon mos me pas një strategji që adreson atë. Në periudhën 2021-2023 MKRS ka ndarë 17 milionë euro për 2,399 projekte për individë dhe organizata të shoqërisë civile”.
“Ne fazën e vlerësimit përmes digjitalizimit do te krijohej një siguri me e lartë për kredibilitetin e vlerësimeve, secili anëtar i komisionit do te jepte piken në sistem pa u ndikuar nga kolegët, kjo do të mundësonte në kredibilitet të rezultateve. Në aspektin e monitorimit te zbatimit, do te lehtësohej puna e stafit të MKRS-së, dhe do të rritej transparenca dhe llogaridhënia. Një problem tjetër që e kemi vërejt është aspekti i mbylljes së projektit, dokumentacioni origjinal ka humbur ose është ngatërruar, me digjitalizim kjo do të lehtësohej”, ka thënë ai.