Digjitalizohen platformat e institucioneve

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 14:33 | Nga

Është bërë prezantimi i platformës së parë online të krijuar nga projekti “Techstitution”. Kjo platformë është zhvilluar në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) dhe ka për qëllim digjitalizimin e procedurave të aplikimit si dhe të raportimit nga kompanitë private që fillojnë operimin e komunikimeve elektronike në Kosovë.

Deri më tash të gjitha procedurat të cilat janë kryer në këtë institucion janë bërë në mënyrë fizike, dhe me ofrimin e kësaj platforme shumë procedura do të thjeshtësohen dhe të gjitha shërbimet do të mund të kryhen online.

Kreshnik Gashi, drejtor i Bordit të ARKEP-it tregoi se si kjo platformë është një risi për institucionin të cilin ai e drejton dhe se si do të lehtësojë procedura të shumta si për klientët e këtij institucioni ashtu edhe për stafin e ARKEP-it.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, tregoi gatishmëri për të përkrahur edhe projekte të tjera të kësaj natyre, pasi që beson se digjitalizimi i procedurave institucionale është në të mirë të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës.

Mugaji falënderoji të gjithë pjesëmarrësit në këtë projekt për punën e palodhshme që kanë bërë gjatë vikendeve të gjata për të krijuar këtë platformë.

“Techstitution është një mjet për transferimin e njohurive dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve, duke siguruar zgjidhje të thjeshtë digjitale për sfidat komplekse institucionale”.

Gjatë këtij prezantimi u ndanë edhe mirënjohje për kontributin e dhënë për pjesëmarrësit në këtë projekt. Përveç këtyre mirënjohjeve, zyrtarët e ARKEP-it bënë të ditur se dy prej pjesëmarrësve më të dalluar në këtë projekt do të fillojnë punën praktike në këtë institucion.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme