Ish-futbollisti i njohur Valon Behrami ka hedhur vështrimin e tij mbi shanset e Përfaqësueses së Zvicrës në Kampionatin Evropian që do të mbahet këtë verë në Gjermani.
Pavarësisht optimizmit për një performancë të fortë, Behrami kërkon ndryshime në qëndrimin e lojtarëve për të garantuar suksese të mëtejshme në turne.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “Blick“, legjenda e futbollit zviceran ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga ana e lojtarëve kyç të përfaqësueses. Sipas tij, Zvicra vuan nga mungesa e një figure autoritative që mund të sfidojë kapitenin në fuqi, Granit Xhaka.
“Lojtarët e tjerë duhet të marrin gjithashtu hapësirën. Përshtypja ime është se mungon dikush që mund t’i kundërvihet Granitit. Ai ka nevojë për atë fërkim. Në një ekip konkurrues nuk mund të bësh pa të, kështu ishte edhe me ne në të kaluarën,” shprehet Behrami, duke bërë referencë te marrëdhëniet me ish-kapitenin e Zvicrës, Stephan Lichtsteine.