25 mijë euro është dënuar për shpifje Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Padinë e ka fituar Mustafë Grainca, rreth disa shkrimeve tash të shpallura shpifëse nga Dimal Basha, të botuara si op/ed personal të tij më 2019 në “Insajderi”.
Detyrimi për tërheqjen e shkrimeve
Sipas vendimit gjyqësor, Basha detyrohet të tërheqë shkrimin editorial të publikuar më 1 korrik 2019 në “Insajder”, si dhe shkrime të tjera të datuara 22 korrik, 10 shtator dhe 30 janar 2020, të publikuara në llogarinë e tij në Facebook.
“DETYROHET i padituri që ta tërheq shkrimin editorial të publikuar në portalin ‘Insajder’ me datë 01.07.2019 si dhe të tërheq shkrimet e datave 22.07.2019, 10.09.2019, 10.01.2020, 22.01.2020 dhe 30.01.2020 të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘Facebook’,” thuhet në aktgjykim.
Kërkesë falje publike
Gjykata ka shkuar edhe më tej, duke urdhëruar që Basha të kërkojë falje publike për z. Grainca, si në portalin “Insajder” ashtu edhe në llogarinë e tij në Facebook. Kjo duhet të bëhet brenda tetë ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.
“DETYROHET i padituri që t’i kërkoj falje publike paditësit, e cila duhet të bëhet në portalin ‘Insajder’ ku është bërë publike përmbajtja fyese dhe shpifëse si dhe në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘Facebook’, me premtimin se nuk do ta përsërisë fyerje të tilla,” thuhet në vendim.
Kompensimi prej 25,000 eurosh duhet të paguhet brenda 15 ditësh, së bashku me kamatë ligjore prej 8% që fillon nga data e paraqitjes së padisë më 22 korrik 2019. Përveç kësaj, Basha detyrohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2,607 eurosh.
Gjykata refuzoi kërkesën e paditësit për kompensim shtesë prej 40,000 eurosh për vuajtje shpirtërore, duke e konsideruar atë si të pabazuar.

