Dimal Basha, para pak vitesh, si gazetar, e kritikonte ashpër partinë e Albin Kurtit për dhunën në rrugë, kundër policisë, në institucione, deri te gjuha e urrejtjes nëpër rrjete sociale. Madje e quante “bandë virtuale”, subjektin ku sot është deputet.
Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha është njëri nga deputetët që mbron më së shumti Qeverinë Kurti.
Basha javët e fundit ka sulmuar sindikataat që mbajtën grevë, duke kërkuar të drejtën e tyre për paga më dinjitoze.
Por, pak vite më parë, kur Basha ishte gazetar në njërin prej televizioneve në Kosovë, mendimet e tij për Vetëvendosjen ishin tërësisht ndryshe. Ai shprehej shpesh i shqetësuar me “dhunën e Vetëvendosjes” në protesta e aktivitete të ndryshme që i organizonte.
Në njërin prej emisioneve të tij, ai kishte bërë një përmbledhje të dhunës që sipas tij e kishte shkaktuar partia ku tani është anëtar. Ai numëronte aktet e dhunës së VV-së nga ajo fizike e deri te dhuna psiqike, siç shprehej vetë ish-gazetari.
“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjellë tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë. Pastaj kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vetë institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores”.
“Edhe një dhunë tjetër që nuk është folur shumë, ka qenë ajo dhuna psikologjike që është ushtru nëpër rrjete sociale”, shprehej Basha, qartazi duke shprehur mendimin e tij.
Sot, Basha nuk flet njësoj. Ai, së fundmi, derisa fliste për grevat në arsim, shprehej në mënyrë superlative për kryeministrin Kurti, duke thënë se ai “i palon 50 Rrahmana”.