Gazetari nga Kosova, Radomir Dimiq, ka reaguar pasi në rrjetet sociale është shpërndarë një fotografi e ambasadorit serb në ShBA, Marko Gjuriq, me Milan Radoiçiqin, të kërkuarin nga INTERPOL-i për sulmin e armatosur në Banjskë.
Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të cilës i takon Gjuriqi, ka vendosur që t’u dërgojë mesazh qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës se “nuk e japim vëllain tonë Millanin”.
“Sikur nuk ka fund çmenduria kolektive. Edhe pse disa thonë se është perëndim i egër regjimit të Vuçiqit, kjo qeveri e paraqet Serbinë aq të pushtetshme sikur fluturon në hënë”, ka thënë Dimiq
Gazetari dhe ish-aktivisti i shoqërisë civile, Dimiq, i cili qe disa vite jeton në Beograd, para disa ditësh i është drejtuar me një letër Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’iu sigurojë kushte serbëve që kanë jetuar në Kosovë që të kthehen në vendlindje.
Ai ka folur për presione të Serbisë ndaj serbëve lokalë të Kosovës, por edhe të gjithë atyre që kanë mendim ndryshe nga politika e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke theksuar se mund ta pësojnë si politikani opozitar Nikola Sanduloviq.
