Dioqeza Prizren-Prishtinë ka nderuar me mirënjohje Stane Gashin, e njohur ndryshe edhe si “nëna e UÇK-së”, për kontributin dhe sakrificat e saj gjatë viteve të luftës në Kosovë. Ajo u vlerësua në një mbrëmje solemne kulturore të mbajtur në Prishtinë, e organizuar me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales “Shën Nënë Tereza”, raporton Ekonomia Online.
Familja Gashi nga fshati Brus i Lipjanit, e udhëhequr nga Ndue dhe Stane Gashi, ka lënë gjurmë të rëndësishme gjatë viteve 1998-1999. Tre prej djemve të tyre u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shtëpia e tyre u kthye në një bazë të rëndësishme ku u strehuan dhe u përkrahën qindra ushtarë të UÇK-së, duke ofruar ushqim, pajisje dhe siguri.
Aktiviteti artistik, i mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, shënoi gjithashtu hapjen zyrtare të edicionit 2025 të “Ditëve të Nënë Terezës” në Kosovë.

