Vlera që e kanë studimet dhe diplomat e UBT-së brenda Kosovës, tash e shumë vite i kanë kaluar kufijtë shtetërorë. E vlefshmërinë e diplomave, studentët dhe ish-studentët e UBT-së po e provojnë çdoherë që po aplikojnë për vazhdim të studimeve apo punësim jashtë vendit.
Dardan Jashari është ish-student i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, i cili pas përfundimit të studimeve të nivelit bachelor, ka dashur që profesionin e tij prej inxhinieri ta ushtrojë në Gjermani.
Për këtë, paraprakisht atij i është dashur që të plotësojë dokumentacionin dhe të bëjë barasvlerësimin e diplomës, gjë të cilën e arriti me shumë lehtësi.
“Kushti ka qenë që diploma e studimeve për Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT, të jetë e barasvlefshme me studimet për të njëjtën degë në Gjermani. Pastaj, kam aplikuar në Ministrinë e Arsimit në Gjermani, kurse konfirmimin e kanë kthyer pas 10 ditësh”, tregoi Dardani.
Sipas tij, kriter vlerësimi për njohje të nivelit bachelor të studimeve ka qenë përputhja e planprogramit.
“Pasi që më janë pranuar studimet themelore, unë kam gjetur punë si asistent i inxhinierit kryesor në një kompani ndërtimi në Gjermani. Kur e kam zgjedhur UBT-në, e kam ditur që diploma ka shumë vlerë, por njohja e saj në nivel ndërkombëtar vetëm se e forcon bindjen tonë”, tha Dardani.
Përpos ushtrimit të profesionit të inxhinierit, ai po planifikon që brenda pak kohësh të fillojë edhe studimet e nivelit master në Gjermani.