Kosova deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale dhe profesionale, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike, por edhe përfaqësues të institucioneve të vendit.
Sipas tyre, mosfunksionimi i duhur i diplomacisë së vendit, deri më tash, kryesisht ka reflektuar fenomene, të cilat kanë qenë të ngarkuara me elementin politik dhe kanë prodhuar veprime jo të mira. Për më shumë, siç thonë ata, Kosova tashmë disa vite gjendet në defensivë diplomatike karshi Serbisë, si dhe nuk ka arritur të bëjë më shumë për forcimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar.
Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Kosova gjendet në defensivë diplomatike, për shkak se sipas tij, vendi nuk e ka të ndërtuar në mënyrë të qartë dhe të dukshme objektivin, deri te i cili dëshirohet të shkohet përmes diplomacisë.
“Për më tepër, jo vetëm që nuk e kemi këtë objektiv, por kemi rënë në regres, në kuptimin, te vendet e caktuara. Si rezultat i humbjes së kontakteve, ato vende kanë filluar të bien pre e shantazheve dhe formave të tjera të korrupsionit, të cilat Serbia po i bën aktualisht dhe me të cilat Kosova nuk po mund të përballet. Mendoj që këto janë efekte, të cilat në radhë të parë vijnë nga fushata e egër – e cila edhe nuk pritet të jetë ndryshe – nga Serbia, si dhe e dyta, nga paaftësia e diplomacisë sonë që t’i adresojë të njëjtat dhe të njëjtave t’u jep përgjigje”, thotë Hoti.