Misioni diplomatik i Rusisë në Korenë Veriore ka shprehur shqetësime të enjten për problemet shëndetësore dhe masat e rrepta të zbatuara në vendin më të izoluar të botës, të cilat e kanë bërë të pamundur shërbimin e tyre në shtetin diktatorial.
Diplomatët e huaj kanë filluar largimin nga Koreja e Veriut nga frika e madhe për sigurinë dhe tani raportohet se në vend kanë mbetur më pak se 290 shtetas të huaj.
Nëpërmjet një deklarate, diplomatët rusë kanë thënë se mungesa e madhe e gjërave esenciale i ka shtyrë ata që të largohen nga shteti aziatik.
Koreja Veriore ka vendosur masa të ashpra, duke i mbyllur gjithë kufijtë për ta luftuar pandeminë.
Vetëm nëntë ambasadorë të huaj dhe katër të ngarkuar të tjerë diplomatikë ndodhen brenda Koresë së Veriut. Britania e Madhe, Gjermania, Brazili dhe dhjetëra shtete të tjera kanë mbyllur dyert e ambasadave të tyre në këtë shtet.
Gjatë muajit mars një grup i diplomatëve rusë, bashkë me anëtarët e tjerë të familjeve të tyre, kishin përdorur një vagon të thjeshtë për të ikur nga shteti diktatorial.