Nga 17 shtatori, Gani Veseli duhej të niste punën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në bazë të një vendimi për ta kthyer në Kosovë pas një dekade pune në Ambasadën në Tiranë.
Por ai ka shpërfillur dy vendime të marra deri tash për të.
Burime të Kohës Ditore kanë treguar të hënën se Veseli nuk është paraqitur për asnjë ditë në Ministri.
“Ka dy muaj që e ka mbaruar misionin në Tiranë, ndërsa qe një muaj e gjysmë e ka vendimin për sistemim në Ministri, por ai asnjë ditë, asnjë orë nuk është paraqitur në punë”, ka thënë ky burim. “Ai është qytetar i Tiranës, jeton me familje atje, dhe është në pritje të një vendimi për kthimin e sërishëm në Ambasadë”.
Rokada e anëtarëve të shërbimit të jashtëm që e kishte proklamuar ministri Behgjet Pacolli, kishte prekur edhe Veselin. Më 23 korrik, shefi i diplomacisë së Kosovës kishte marrë një vendim për të.