Hipertensioni nënkupton presion të lartë të gjakut dhe është një sëmundje shumë e përhapur në popullatë. Bazuar në statistikat Europiane, kjo sëmundje prek rreth 30-45 % të popullatës së rritur.
Mendohet se në pjesën më të madhe të rasteve, shkak i hipertensionit është një çrregullim në nivel qelizor, që shfaqet me kalimin e moshës. Kjo e bën hipertensionin, sidomos në stade të avancuara, një sëmundje të trajtueshme, por, që shpesh kërkon mjekim të vazhdueshëm, pra pacienti duhet të jetë në ndjekje të vazhdueshme nga mjeku kardiolog.
Fakte mbi Hipertensionin:
Në pjesën më të madhe të rasteve, hipertensioni, është sëmundje lehtësisht e trajtueshme.
Kontrolli/normalizimi i vlerave të tensionit shoqërohet me kontroll dhe evitim të plotë të pasojave të tij
Gjeneratat e reja të medikamenteve, antihipertensivët, janë gjithmonë e më shumë të tolerueshme dhe shumë më të pranueshme nga pacientët, dhe më e rëndësishmja me më pak efekte anësore dhe shumë më pak impenjative për ta. Medikamentet që merren një herë në ditë, me një kontroll të qëndrueshëm të tensionit në 24 orë, janë tashmë të zakonshme.
Modifikimi i stilit të jetës, me të cilën nënkuptojmë aktivitet fizik të kontrolluar,rënie në peshë, dietë e kontrolluar, kanë një ndikim të drejtpërdrejt në kontrollin /normalizimin e tensionit dhe jo vetëm. Një stil jete i shëndetshëm është baza e një shëndeti të mirë për të gjithë ne.