Disa komuna pa rrymë e pa ujë

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 09:11 | Nga

Mitrovica dhe komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrria, si dhe Drenasi e Istogu, u janë nënshtruar reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike. Në Skenderaj, Vushtrri dhe në Drenas banorët përballen edhe me mungesës të ujit të pijes, ndërsa në Istog është kthyer energjia elektrike por kanë vazhduar reduktimet, ndërsa ende nuk janë vlerësuar dëmet që janë shkaktuar nga era e fortë, shkruan sot, gazeta Zëri.

Në temperaturat tepër të ulëta, të cilët kanë arritur edhe në – 25 gradë celsius, banorët e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe ata të Drenasit dhe të Istogut, janë përballur në dy ditët e fundit me mungesë të madhe të energjisë elektrike.

Përveç me mungesë të energjisë elektrike, banorët e Skenderajt, të Vushtrrisë dhe të Drenasit janë përballur edhe me mungesë të ujit të pijes, pasi që kompanitë kanë aplikuar reduktime në këto ditë të ftohta. Në anën tjetër, Istogu ngadalë po i kthehet normalitetit, pasi që gjendja me energji elektrike është përmirësuar.

Jeta Balaj, zëdhënëse e komunës së Istogut, ka thënë se gjendja me rrymë është përmirësuar dukshëm, ndonëse reduktimet, sikurse edhe në gjithë vendin janë aplikuar edhe në këtë komunë. Ajo ka shtuar se ende nuk dihen me shifra pasojat që ka shkaktuar era e fortë që kishte përfshirë Istogun dy ditë më përpara.

“Gjendja me rrymë është përmirësuar, gjithashtu edhe me ujë, fshatrat besoj se nga sot (e hënë) do të kenë rrymë, ndërkaq sa u përket dëmeve të shkaktuara nga era e fortë ende nuk ka ndonjë vlerësim të tyre, sepse ekipet janë ende në terren”, ka thënë Balaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme