Disa nga ngjarjet kryesore të vitit 2020

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 11:37 | Nga Arbëresha Loxha-Stublla

Kosova po përmbyll një vit jashtëzakonisht të vështirë. 2020 ishte një vit i dëshpërimit, pasigurisë dhe krizave të vazhdueshme politike, shëndetësore dhe socio-ekonomike. Megjithëse rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit reflektonin kërkesat e qytetarëve për një ndryshim politik, duke i nxjerrë partitë opozitare fituese, qeveria Kurti doli të jetë qeveria më jetëshkurtër në historinë e Kosovës.  Në mes të ballafaqimit të krizës COVID-19, Kosova ishte i vetmi vend në Evropë që rrëzoi qeverinë vetëm pas 51 ditësh, duke ndjellë pasiguri dhe zhgënjim në mesin e qytetarëve.

Krizat politike shkaktuan gjithashtu kriza kushtetuese dhe përplasje midis Presidentit të atëhershëm dhe Kryeministrit sa i përket mandatarit të dytë.  Pas më shumë se 20 ditësh dhe pas shkëmbimit të pesë letrave, Presidenti arriti në përfundimin se LVV po refuzonte të sugjeronte një kandidat për mandatin e ri, dhe kështu mandatoj Avdullah Hotit nga LDK si kandidati i ri për Kryeministër. LVV sfidoi dekretin e Presidentit dhe e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese konfirmoi kushtetutshmërinë e saj dhe kështu hapi rrugën për një qeveri të re për t’u formuar. Qeveria e Hoti u votua, pas gati 3 muajsh, më 3 qershor 2020  me një shumicë të brishtë votash, minimumin e 61 deputetëve, anipse dy vota të deputetëve ishin të diskutueshme. Si rezultat i brishtësisë së numrave, qeverisë Hoti ju deshën 2 muaj për ta votuar rishikimin e buxhetit.

Tutje, përkundër faktit që Kosova po përballet me krizë socio-ekonomike, projektligji për rimëkëmbje ekonomike arriti të kaloj në lexim të parë për tu votuar pas gjashtë dështimeve. Përkundër ndihmës së marrë nga pakoja e emergjencave, megjithëse kryesisht e vonuar për disa grupe, qeveria Hoti nuk ka arritur të ofrojë ndihmë për bizneset deri në tetor të këtij viti. Ndonëse nuk ka statistika zyrtare, kryetari i sindikatës së punëtorëve në sektorin privat, Jusuf Azemi ka deklaruar se rreth 80 mijë punëtorë kanë humbur vendin e punës dhe rreth 5 mijë biznese kanë falimentuar.

Qeverinë Hoti e përcollën shumë skandale, përfshirë vjedhjen e 2.1 milion eurove nga thesari i shtetit, vjedhja e kasafortës së Agjensionit së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe shuarja e task-forcës kundër korrupsion e cila u kritikua ashpër nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Zyra e BE-së dhe shoqëria civile. Së fundmi është raportuar se Administrata Tatimore e Kosovës ka faluar borxhe me vlerë prej shtatë milion euro një biznesmeni. Përtej dëmit financiar, skandalet e tilla kanë vënë në pah brishtësinë e sistemit tonë dhe nivelin e korrupsionit.  

Tutje, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i dobët në ushtrimin e rolit të tij mbikëqyrës siç përcaktohet me kushtetutë, duke bërë që agjenda legjislative të mbetet kryesisht e papërmbushur. Si pasojë e një shumice të brishtë dhe mungesës së vazhdueshme të kuorumit, Kuvendi dështoi të votojë iniciativa të rëndësishme legjislative që konsiderohen të jenë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.

Periudha shtator-nëntor u karakterizuan me veprime konkrete nga Dhomat e Prokurorit të Specializuar me arrestimin e disa personave dhe konfirmimit të dy aktakuzave Ndër të akuzuarit janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi, i cili dha dorëheqje nga ky post ditën kur ju konfirmua aktakuza. Kjo ka hapur rrugën edhe për një krizë tjetër eventuale. nevojiten të paktën 80 vota për tu votuar presidenti. Koalicioni qeverisës duket se nuk ka pajtueshmëri sa i përket zgjedhjes së Presidentit. AAK ka nominuar kreun e saj si kandidat për President. Lëvizja Vetëvendosje kërkon rilegjitimimim të institucioneve të vendit përmes zgjedhjeve dhe pastaj të zgjedhet presidenti, ndërsa pozita argumenton të kundërtën. Ndërsa Lidhja Demokratike argumenton se fillimisht duhet zgjedhur presidenti dhe pastaj të shkohet në zgjedhje ashtuqë të evitohet një krizë eventuale politike në vend.

Dialogu gjatë këtij viti mori energji të madhe të qeverisë Hoti dhe vëmendje të opinionit publik. Dialogu rifilloi pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Deri më tani, Kosova ka dialoguar pa e reflektuar një kornizë të qartë, unitet politik dhe parime. Rrjedhimisht, në vazhdimësi ka bërë tërheqje nga vendimet dhe aspekte të cilat kanë të bëjnë me manifestimin e shtetësisë, për hir të të qenurit pale konstruktive.Tashmë, presioni është i fokusuar drejt implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përderisa Kosova nuk ka asnjë qartësi se si do të përballet me këtë situatë. Polti

Kosovën tashmë e pret miratimi i buxhetit për vitin 2021, marrë parasysh këtë polarizim të spektrit politik, mund të presim gjithashtu bllokim apo zvarritje edhe të këtij procesi.

Rindërtimi i kornizës politike në vend

Për ballafaqim efektiv me pandeminë dhe pasojat që ka prodhuar ajo, Kosovës i duhet një qeveri stabile e cila do të garantonte stabilitet institucional dhe qasje serioze karshi problemeve me të cilat përballet vendi. Të gjitha institucionet e vendit duhet të mobilizohen duke lënë anash dallimet politike. Ndër prioritetet kryesore duhet të jetë shëndetësia dhe menaxhimi i pandemisë. Në vitin 2021, Kosova duhet gjithashtu të ketë qartësi dhe plan konkret për rimëkëmbje ekonomike.

Sa i përket dialogut, Kosova duhet të hartoj një kornizë të qartë, parime dhe vija të kuqe dhe unitet të brendshëm politik.

Duhet të ketë vullnet politik dhe veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu duhet rivitalizim i qasjes të politikës së jashtme, dhe eliminim të praktikës së deritanishme që shërbimi diplomatik të jetë në shërbim të akomodimit të militantëve partiak dhe familjarëve të zyrtarëve qeveritarë e partiak.

Për fund, por jo për nga rëndësia, një sfidë tjetër që e pret Kosovën është zgjedhja e presidentit të vendit më së largu deri në Prill të 2021-tës. Kandidat për president duhet të jenë figura vërtetë që përfaqësojnë unitetin e popullit, në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe jo figura partiake apo siç ka ndodhur në të kaluarën riciklim i figurave të larta qeveritare.

Të ngjashme