Kosova dhe Serbia arritën javën e kaluar një marrëveshje për dokumentet e identifikimit sipas së cilës asnjëra palë nuk do të kërkojë dokument për hyrje/dalje për shtetasit e palës tjetër në pikëkalimet kufitare.
Ndonëse kjo marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 2011 në Bruksel, disa qytetarë e mirëpresin këtë marrëveshje, raporton Ekonomia Online.
Disa qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online, e panë të arsyeshme ndryshimet që ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ata thanë se shefi i Qeverisë, me të drejtë i ka kundërshtuar marrëveshjet e nënshkruara ndër vite, teksa thonë se përgjegjësia është më e madhe sa është në pushtet.
Fehmi Rrustemi nga Prishtina, thotë se nëse e njëjta është nënshkruar në vitin 2011, përse nuk është implementuar asnjëherë.
“E kam parë të arsyeshme. Nëse ka qenë nga viti 2011 përse nuk është aplikuar ajo marrëveshje. Zotri Kurti duhet me ndryshu dhe ka ndryshuar, atëherë ka qenë opozitar tash është kryeministër i vendit dhe duhet me i mbrojte interesat e shtetit. Opozita çdo herë bën opozitarizëm dhe i shoh të arsyeshme”, u shpreh Rrustemi.
Njëjtë mendon edhe Tefik Gashi. Thotë se marrëveshjet duhet implementuar dhe duhet ecur përpara.
“Atëherë kur i ka kundërshtuar ka qenë në opozitë, ndoshta ka qenë mirë që ka vepruar ashtu por tani është vet në pushtet dhe ka përgjegjësi dhe duhet me i nënshkru patjetër dhe duhet ecur tutje. Duhet me ndryshu dhe s’ka qare pa ndryshuar sepse pushteti dhe opozita janë dy gjëra të kundërta. Kur njeriu është në pushtet ka shumë më shumë përgjegjësi”, tha ai.