Diskutohen të drejtat e fëmijëve, përfaqësuesi i BE-së: Nuk jam i kënaqur me mjedisin këtu

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 17:02 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë sot organizuan sesionin informativ: “E drejta ime për të ditur” në kuadër të Ditës Botërore të Fëmijëve.

Në kuadër të këtij diskutimi u tha se fokusi kryesor është te gjeneratat e reja, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ditë përdoret ngjyra e kaltër si simbol që të ngritet vetëdija për mbrojtjen e fëmijëve.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Libor Chlad, në këtë sesion diskutimi u shpreh i pakënaqur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Faleminderit që keni ardhë sonte këtu. Dua të them se unë jam këtu në emër të Bashkimit Evropian, është projekti i integrimit evropian që do t’i bashkangjitet shteti juaj dhe ne jemi duke bërë përpjekje këtu. Shpresoj që ju do më tregoni se çfarë janë të drejtat e fëmijëve”.

“Ne jetojmë në një botë të privilegjuar dhe ka shumë fëmijë që nuk i marrin të drejtat që ju i keni. Gjitha këto janë vlera të rëndësishme. Kur kam qenë fëmijë kam pasur një fëmijëri të lumtur”.

“Fëmijët mund të jenë shumë të drejtpërdrejtë dhe shpesh kjo keqkuptohet dhe mund të bëhen diskriminime në këtë aspekt. Jemi mbledhur këtu në kuadër të diçkaje më të madhe që kemi vendosë ta bëjmë në Kosovë”.

Chlad tha se Bashkimi Evropian përkrah ambiciet e Kosovës, raporton EO.

“Ta promovojmë ajrin e pastër, mjedisin e pastër. Jetoj tash e 4 vite në Kosovë, por nuk jam i kënaqur me mjedisin këtu. Unë dua ta përfundoj këtu duke thënë se BE-ja është në Kosovë për t’i përkrahur ambiciet e shtetit tuaj. Kështu që shpresoj se Kosova të jetë më e pastër dhe më e bukur në vitet e ardhshme”.

Ndërsa Murat Sahin nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë tha se përmes krijimit të programeve të ndryshme do të mbrohen të drejtat e fëmijëve në Kosovë.

“Para dy muajve kam ardhë në Prishtinë. Nuk mund ta paramendoja kështu ajrin këtu. Javët e fundit kam parë shumë ndryshime në këtë drejtim. Duhet edhe sesione për t’i informuar njerëzit se si duhet të mbrohemi nga ajri”.

“Dua të kthehem te të drejtat e fëmijëve. Përgjegjësia për mbrojtjen e të drejtave tuaja fillojnë nga prindërit, pastaj institucioneve. Ne si zyrë e UNICEF-it po punojmë rreth krijimit të programeve për të mbrojtur të drejtat tuaja”.

“Kur e ngrisni zërin për të drejtat e juaja të gjithë do ju dëgjojnë. E di se duhet të bëhet shumë rreth këtyre të drejtave. Ne do mundësojmë sisteme për raportimin e shkeljeve të drejtave të juaja”.

Pjesë e këtij diskutimi ishin nxënës të disa shkollave fillore të Prishtinës: “Shkolla e Gjelbër”, “Mileniumi i tretë”, “Faik Konica” dhe “Qamil Batalli”.

Të ngjashme