Është mbajtur punëtoria për rishikimin dhe adoptimin e kodeve të etikës në arsimin e lartë.
Libor Chlad, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ky projekt ka filluar para 1 viti e gjysmë dhe në fund të këtij projekti, sipas tij, janë arritur rezultate pozitive.
“Sa i përket kodit të sjelljes, ka të bëjë me sjelljen personale tonat dhe besoj se ka të bëjë me kontributin tonë të secilit dhe ne duhet të tentojmë që arsimin në Kosovë ta bëjmë më të mirë dhe se qëllimi ynë është me e përmirësu cilësinë e arsimit në përgjithësi”, tha Chlad.
Chlad tregoi për përvojat e tij në vendet ku kishte studiuar.
“Kam pasur privilegj me studiu në disa shtete evropiane për çështjen juridike. Me kualifikim jam jurist dhe kam pasur mundësi me përjetu se si morali dhe etika ka pas qasje të ndryshme në vendet e ndryshme të botës. Pa dashur t’ia drejtoj gishtin asnjë shteti, më duhet të them që shtetet të cilat më kanë dhënë sensin që morali dhe etika nuk janë çështje e letrave ka qenë një mësim i mirë. Ishte një shtet ku studentët ishin mësuar të mos mashtrojnë, jo nga frika që do i zë dikush, por e dinë se është e gabuar dhe nga notimi ata nuk kanë gjykuar asnjë mësimdhënës”, tha ai.
Ai tha se para se të largohet nga Kosova dëshiron të shohë një përmirësim dhe garanci për një etikë dhe sjellje të mirë në akademinë kosovare, raporton Ekonomia Online.
Drita Kadriu, drejtore e Departamentit të Arsimit të Lartë në MAShT, tha se me ndryshimet qe po bëhen në strukturën organizative, mësimdhënësit e arsimit të lartë do të jenë më afër institucioneve në krijimin e kornizave zhvillimore.
“Hapja e dialogut për vlerat etike dhe integriteti i arsimit të lartë është njëra prej komponentave të domosdoshme të zhvillimit të arsimit“, tha ajo.
“Ndryshimi i qasjes në të menduar dhe përgatitja e njerëzve në shoqërinë demokratike ka dallime të mëdha në mënyrën dhe formën se si janë përgatitur njerëzit në një situatë ku të nxënit e dijeve të reja ka qenë i fokusuar në memorizim”, shtoi Kadriu.
“Sot dinamika ku po jetojmë studentët që kanë lindur në këtë shekull nuk kanë kohë që dijen ta zbatojnë në rastin kur ata përfundojnë studimet dhe lidhen me një marrëdhënie pune”, tha Kadriu.
Faton Berisha, prorektor për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, foli në emër të rektorit të UP-së me ç’rast përshëndeti të pranishmit në diskutimin për kodin e etikës në arsimin e lartë.
“Qëllimi ynë është për të pasur një kod më të mirë të sjelljes në UP dhe nëpër institucione të edukimit të lartë”, tha Berisha.