Në Forumin “EverGREEN Kosovo” organizuar nga Let’s Do It Kosova, është diskutuar për sfidat mjedisore dhe zgjidhjet, rolin e shoqërisë civile, rinisë dhe aktorëve ndërkombëtarë në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.
Nebojsa Simiç nga organizata CDKD, tha se institucionet dhe organizata duhet të jenë më këmbëngulëse në ruajtjen e mjedisit.
Ai tha se sa i përket aksionit për pastrim të gjitha komunat i janë përgjigjur pozitivisht.
” Përveç asaj që ka kohë që në këtë temë dhe shoqëri janë bërë gjëra pozitive, sa i përket ekologjisë s’kemi pasë ndonjë zhvillim të rëndësishëm. Duhet këmbëngulja e organizatave të jetë më e fuqishme. Duhet të punojmë në të ardhmen, jo vetëm për të marrë projekte për të regjistruar, por të bëjmë diçka më konkrete. Shishet e plastikës janë ato që shkaktojnë shumë dëme. Në mjedisin tonë në çdo mandat kur vjen pushteti i ri ne nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi, ne kemi punuar në komunën e Kamenicës dhe Ranillukut, kemi bërë plane si të veprojmë me mbetjet e ngurta. Në veri nuk dallohet prej komunave të tjera e dimë që ka disa lëvizje të ndryshme politike, por sa i përket aksionit të gjitha komunat janë përgjigjur”, ka thënë Simiç, raporton EO.
Merlina Beu-Muçaj, nga Green Art Center, tha se sfidë ende mbetet menaxhimi i mbeturinave pasi sic tha ajo në këtë drejtim ka edhe mungesë të fondeve.
“Sfida më e madhe mbetet në menaxhimin e mbeturinave, shenjat e para pozitive po ndihen nga niveli lokal duke punuar me komunat, është sfidë në vete pasi ballafaqohen me mungesë të fondeve. Ne bashkërisht me donatorët jemi të involvuar brenda departamenteve të shërbimeve publike me koordinatorët lokal i ndihmojmë për problemet. Sfidat janë të shumta politike dhe financiare, momentalisht kemi ballafaqimet politike që po bëjnë problematika dhe normalisht ne si shoqëri civile duhet ngritur zërin”, tha ajo.
Aurel Haxhiu nga Këshilli Qendror i Veprimit Rinor, tha se këto këshille të të rinjve shtrihen në 38 komuna dhe ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e ambientit.
“KCDK ka 38 komuna ku ka shtrirje lokale në komuna, mundohemi që në këto komuna të shtyjmë të rinjtë në aspektin e arsimit. Këshillat lokale krejt çka mundem me bë janë të gjitha aktive. Ndotja e ambientit nuk është mungesë e shportave është mungesë edukate, ne kemi bërë marrëveshje me komunën që me pasë raportime për ata që hedhin mbeturina. Kur dikush është dënuar, është bërë në mënyre publike dhe ne jemi kujdesur që të përhapet ai lajm. Në Kamenicë s’ka pikë ilegale të mbeturinave pasi janë larguar”, tha ai.
Granit Gashi nga organizata GAIA ka thënë se kjo organizatë po organizon takime për informimin e të rinjve rreth ndryshimeve klimatike dhe deri tani kanë arritur marrëveshje me 4 komuna.
“Ndryshimet klimatike, ne mundohemi me shpërnda informata te të rinjtë, ato të dhëna katastrofale që kanë ardh këto 10 vitet e fundit. Jemi në proces të oragnizimit të trajnimeve, kemi arrit marrëveshje me 4 komuna”, tha Gashi.
Elion Gërguri nga Organizata “Green Foundation” ka thënë se kjo organizatë ka organizuar debate të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve dhe sipas tij pengesë janë mungesa e shportave dhe menaxhimi i mbeturinave.
“Problem janë dëponitë, 580mijë tonë mbeturina në vit, 72 për qind e tyre mblidhen, ka potencial të madh për riciklim të madh po s’ka interesim për këtë. 86 për qind e prerjeve të pyjeve janë në mënyrë të paligjshme. Lumenjtë tanë janë shumë të ndotur nga ujërat e zeza. Ne si organizatë kemi pasë projekte dhe debate nëpër komuna ku ka komunitete të ndryshme me i dëgju problemet e tyre. Në komuna të vogla me komunitetet pakicë ka pasë interesim shumë të madh, në disa komuna janë ankuar për menaxhimin e mbeturinave dhe mungesën e shportave”, ka thënë Gërguri, raporton EO.
Ndërsa në fund pjesëmarrësit janë ndarë në grupe të veçanta punuese duke u udhëhequr nga moderatorë të veçantë ku në fund do të dalin me rekomandime si mund të zgjidhen problemet mjedisore.