Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe zyrtarët për komunikim publik të sistemit prokurorial, mbajtën një takim me Këshilltaren Ligjore të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe me ekspertët për media të kësaj Ambasade, me të cilët diskutuan çështjet profesionale të komunikimit me mediat dhe publikun.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke e vlerësuar jashtëzakonisht të rëndësishëm këtë takim, ka falënderuar zyrtarët e Ambasadës Amerikane për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për fuqizimin e Prokurorin e Shtetit në çështjet thelbësore, përfshirë këtu edhe sektorin e komunikimit.
Po ashtu, në fokus të këtij takimi ishte edhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Amerikane në çështjet e komunikimit publik dhe diskutimi i sfidave me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në këtë aspekt.
Me këtë rast, u dhanë këshilla dhe sugjerime të vlefshme nga ekspertët e Ambasadës Amerikane lidhur me ndërtimin e një qasjeje efektive në fushën e komunikimit me mediat dhe publikun.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit identifikuan disa nga sfidat e komunikimit publik të sistemit prokurorial, për të cilat do të ketë angazhim për krijimin e një qasjeje proaktive, e cila do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të komunikimit të jashtëm të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.