Ruajtja e distancës fizike mbi një metër, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pritet të mbetet në fuqi për një kohë më të gjatë, sesa masat e tjera.
Shumë vende në botë kanë nisur ose janë duke planifikuar lehtësimin e izolimit, duke hapur dyqane të vogla, kopshte fëmijësh apo kompani ndërtimi, por kërkojnë që distancimi fizik mes njerëzve të vazhdojë të respektohet.
Zbatimi i kësaj mase që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është më i vështirë në kompanitë ku numri i punëtorëve është me dhjetëra ose qindra.
Kjo nënkupton që të sigurohet hapësira e rekomanduar për ta ose të zvogëlohet numri i tyre.
Kompania ‘Stone Castle’ në Rahovec të Kosovës, e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike, thotë se ka shënuar humbje të mëdha financiare, prejse autoritetet kanë nisur zbatimin e masave kufizuese, duke mbyllur, mes tjerash, edhe veprimtaritë hoteliere.
Eksporti i saj po ashtu është zvogëluar si pasojë e kufizimeve të lëvizjes ndërshtetërore.
Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në ‘Stone Castle’, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbjet e kësaj kompanie do të vazhdojnë, nëse ruajtja e distancës fizike duhet të vazhdojë për një kohë të gjatë.
“Nëse vazhdon masa për mbajtjen e distancës fizike [deri] në 2 metra, puna në prodhimtari do të zhvillohet me ritëm më të ngadalshëm, mirëpo besoj që organizohet ashtu siç kërkohet. Ndërsa, për sektorin e vreshtarisë besoj që paraqet më pak vështirësi organizimi i punës në distancë, në ambient të hapur”, thotë Kurshumlija.
Në kompaninë ‘Stone Castle’ janë të punësuar rreth 250 punëtorë të rregullt, ndërsa numri i punëtorëve sezonalë gjatë vitit arrin deri në 500, varësisht prej nevojave dhe aktiviteteve në vreshtari.
Kurshumija thotë se ruajtja e distancës fizike do t’i vështirësojë apo pamundësojë edhe takimet me partnerët afaristë, që, sipas saj, janë pjesë esenciale për aktivitetet e kompanisë.
Në Kosovë, ku janë të konfirmuara qindra raste të të infektuarve me koronavirus, autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë lehtësimi i masave kufizuese. Dhe, kjo i shqetëson bizneset.
“Problemet dhe vështirësitë më të theksuara do të paraqiten nëse masat do të zgjasin shumë. Nëse restorantet, kafeteritë dhe hoteleritë do të jenë të fundit në renditjen e hapjes së bizneseve, sigurisht se do të kemi vështirësi, sepse na pamundësohet shitja e produkteve”, thotë Kurshumlija.
Vjelja e rrushit në kompaninë ‘Stone Castle’ bëhet me dorë dhe nis në fillim të muajit shtator dhe përfundon në gjysmën e dytë të tetorit.
Distancimi fizik nuk dihet se kur mund të hiqet
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk dihet se kur mund të lehtësohet masa e distancimit fizik.
Sipas tij, në Kosovë nuk janë testuar shumë njerëz për koronavirus dhe nuk ka ende një plan për të testuar imunitetin e krijuar eventual të popullatës në nivel vendi.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë, nga data 8 shkurt deri më 23 prill, 2020, janë testuar gjithsej 5,890 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri.
“Ne e dimë se ky infeksion (koronavirusi), në raste të caktuara, mund të kalojë në forma të lehta dhe pa simptoma te personat e infektuar, por nuk e dimë se sa mund të jetë ky imunitet në masën e përgjithshme. Megjithatë, nëse një imunitet i tillë krijohet në masën 50 apo mbi 60 për qind të popullatës, atëherë koha do të shkurtohej shumë për zbatimin e masës së ruajtjes së distancës fizike”, thotë Krasniqi.
Mikrobiologu Lul Raka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 mars, ka thënë se nga përvoja me sëmundjet e tjera pandemike, duhet të kalojnë së paku gjashtë muaj për të hulumtuar përgjigjen imunologjike të popullatës së prekur.